Dje ka bërë një pedalim të shkëlqyer duke mbërritur i pari në finishin e Shkodrës. Ylber Sefa ndonëse kishte vetëm pak orë që kishte mbërritur nga Belgjika, atje ku stërvitet, ka shkëlqyer në etapën e parë të Turit Çiklistik të Shqipërisë duke e fituar atë dhe tashmë mban bluzën e verdhë të kryesuesit.

I pyetur pas përfundimit të etapës për emocionet që ka përjetuar, Sefa shprehet: “Ka qenë një emocion i madh sepse është besoj një arritje e madhe të fitosh një etapë të tillë në një garë ku marrin pjesë sportistë shumë të mirë nga shumë vende të Europës.

Tashmë na del për detyrë për ta mbrojtur sa më gjatë këtë vend dhe ideja është që deri në etapën e katërt, atë Vlorë- Sarandë, të mbajmë vendin e parë si në renditjen individuale ashtu edhe në atë ekipore. Çdo gjë bëhet me ndihmën e ekipit sepse ka kontributin e të gjithëve nuk mund të arrish asgjë.

Pastaj do jetë malorja e fortë e kësaj etape që do të vendosë shumë gjëra. Edhe ne jemi të përgatitur por të shohim si do të shkojë gara. E rëndësishme është që niveli i kombëtares shqiptare ka ardhur duke u rritur dhe kjo është shumë pozitive”- është shprehur kryesuesi i Turit të Shqipërisë.
© shkodrasport.com