Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, në emisionin “SportZone” në MCN TV, u shpreh se nuk do të ketë zgjedhje në FSHF më 2 mars, siç është planifikuar. Ai tha se askush nuk mund të dalë mbi vendimin e Gjykatës dhe nëse dikush e bën këtë, sipas tij do të ketë kallëzim penal.

Ylli deklaroi se nuk i intereson se çfarë vendos futbolli, por ligjet duhen respektuar.

“Ne nuk e kemi përjashtuar Federatën e Futbollit, janë vetëpërjashtuar nga KOKSH. Futbolli nuk mund të shkojë dot në zgjedhje, kur ka një vendim gjykate kundër kësaj.

Pezullimi është e drejtë për të gjithë, bëhet për të parë nëse është e drejtë apo jo. Nëse është e drejtë, le ta bëjnë një muaj më vonë. Kush është futbolli?! Asnjë nuk del dot mbi gjykatë. I bëj thirrje në Federatë, të bëjnë kujdes se do të shkojnë në kallëzim penal. Gjykatat janë të pavarura. Këta nuk mund të shkelin një vendim Gjykate, nëse e bëjnë këtë atëherë në këtë vend nuk ka më shtet. Gjykata ka të drejtë të pezullojë çdo gjë.

Nuk më intereson çfarë vendos futbolli, por duhen respektuar ligjet. Ligjet e vendit respektohen. Nuk mundet njeri të dalë mbi vendimet për pezullimin.

Zgjedhje më datë 2 nuk do të ketë, nëse do ketë, atëherë njerëzit që i organizojnë do shkojnë në ndjekje penale. Gjykata i ka rrëzuar 5 vendime Federatës së Futbollit.”, u shpreh Fidel Ylli.