Duhej të ishte reparti më I fortë por në fakt nuk rezultoi I tillë. Mbrojtja e Vllaznisë në ndeshjen e parë të kampionatit, atë të luajtur ndaj Skënderbeut, ka gabuar në të tre rastet golave të pësuar. Gabimet më të mëdha kanë ardhur në qendër të këtij reparti, pikërisht aty ku luajnë dy nga lojtarët më me përvojë të skuadrës. Elvin Beqiri dhe Tefik Osmani kanë gabuar jo pak në këtë 90 minutësh. Në golin e parë, pavarësisht se gabimi nisi nga humbja e topit në mesfushë prej Deliç, edhe mbrojtja nuk u gjend e pozicionuar mirë. Beqiri tentoi të bllokonte Lilajn që kishte topin në këmbë por edhe të nxirrte në pozicion jashtë loje Pejiçin por ky I fundit u mbajt në lojë nga Osmani (mund të ketë qenë edhe ofsajt). E njëjta situatë thuajse edhe tek goli I dytë. Beqiri kërkon të largojë një top me kokë, përplaset me një shokun e tij të skuadrës dhe nuk ia arrin ta largojë atë. Top që shkon më pas tek Pejiç ndërkohë që Osmani sërish ngre dorën lart për pozicion jashtë loje por gabon sërish. Edhe në rastin e tretë, gabim flagrant. Korçarët krosojnë një top nga e majta në qendër të zonës për Pejiç. Kroati ndodhet në mes Beqirit dhe Begajt që vjen me vonesë nga e majta, arrin ta ndalë topin dhe ta gjuajë atë drejt rrjetës, I pashqetësuar nga asnjëri prej mbrojtësve të Vllaznisë. Janë raste vërtetë shqetësuese dhe që me më pak kujdes, do të ishin neutralizuar. Përvoja e Beqirit dhe Osmanit nuk është vënë në përdorim këtë herë. Jo më kot, edhe trajneri Duro I ka kritikuar në fund të ndeshjes. Lojtarëve mund të mos u ketë pëlqyer kjo kritikë por ky është realiteti. Nëse dy lojtarët e mësipërm konsiderohen ndër pikat më të forta të skuadrës dhe jo më kot janë edhe ndër më të paguarit e saj, këtë gjë duhet ta reflektojnë edhe në fushën e lojës. Kjo nuk ndodhi këtë herë. Nga ana e tifozërisë ka patur shumë kritika. Sigurisht që për ndeshjen e rradhës nuk do ketë ndryshime në emrat që do luajnë në qendër të mbrojtjes. Dyshja e mësipërme është projektuar për të qenë titullare këtë sezon. Alternativa e vetme për qendrën e mbrojtjes është Kraja. Sigurisht që mund të adoptohen edhe Semina apo Belisha megjithatë janë alternativa të detyrueshme. Largimi I Sykjes nga skuadra, e ka zbehur mundësinë për të patur një lojtar të gatshëm dhe dinamik në pankinë. Ky ndoshta është një gabim I madh I Duros që lejoi largimin e këtij futbollisti. Po çfarë do ndryshohet për ndeshjen e ardhshme në Kukës? Kapiteni Beqiri ka kërkuar falje për paraqitjen në ndeshjen e parë.  Emrat sigurisht që nuk do ndryshojnë as ndaj Kukësit por duhet të ndryshojë forma dhe përgatitja e tyre për ndeshjen. Mbrojtësit duhet të ofrojnë garancinë e duhur në mënyrë që porta të mos preket. Se sa do ia arrijnë kësaj, kjo mbetet për t’u parë. Trajneri Duro ka besim të madh tek këta dy futbollistë. Nëse rregullohet prapavija, sigurisht që do jetë më mirë edhe për mesfushën dhe sulmin. Topi këtë herë do t’u kalonte atyre.

Gjergj KOLA