Ndeshja e javës së dytë të kampionatit, ajo në mes Kukësit dhe Vllaznisë, që do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Kukësit, do të luhet pa tifozë. Skuadra vendase e cila luan për herë të parë në historinë e saj në kategorinë superiore, do të vuajë dënimin e dhënë që nga sezoni I kaluar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në javën e parë në fakt, u bë një përjashtim nga ana e institucionit që drejton futbollin shqiptar meqë Kukësi inaguroi stadiumin e ri dhe prandaj ndeshja me Luftëtarin u luajt në praninë e tifozëve. Në javën  e dytë ndërkohë, do rikthehet dënimi dhe në Kukës këtë javë do luhet pa tifozë. Ndeshja është planifikuar të luhet pasditen e së shtunës në orën 17.00 dhe luajtja pa tifozë sigurisht që është një anë positive për Vllazninë. Megjithatë, kuqebluve u duhet të përballen me një kundërshtar të fortë në këtë ndeshje, pikërisht treshen e trajnerëve që drejtojnë Kukësin dhe që janë tre shkodranët, Armando Cungu, Esat Rakiqi dhe Avenir Dani. Ata e njohin mirë skuadrën e Vllaznisë dhe për rrjedhojë do kërkojnë të arrijnë fitoren e tyre të parë në kampionat. Java e parë në fakt ka qenë zhgënjyese për të dy ekipet. Kukësi luajti në fushën e vet ndaj Luftëtarit dhe nuk shkoi më tepër se barazimi 0-0 ndërkohë që Vllaznia e nisi edhe më keq duke humbur në Shkodër ndaj Skënderbeut 1-3. Në këtë mënyrë, të shtunën të dy skuadrat do kërkojnë fitoren e tyre të parë në kampionatin e ri.