Sulmuesi i talentuar shkodran Xhevahir Sukaj ka shënuar sërish për skuadrën e tij Sepahan. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme, e vlefshme për kampionatin iranian, Sukaj ka arritur të shënojë një gol mjaft të rëndësishëm për ekipin e tij pikërisht në minutën e 86-të të ndeshjes atëherë kur rezultati ishte i barabartë 0-0.

Me këtë gol është mbyllur ndeshja dhe Sepahani ka marrë tre pikë shumë të vlefshme duke u rikthyer tek fitorja pas dy javësh mungese. Shkodrani kësisoj është edhe një herë tjetër i rëndësishëm për ekipin e tij duke treguar vlera të shkëlqyera shënuese. Pavarësisht ndryshimeve në skuadër në fillim të këtij kampionati, Sepahani mbetet pretendent për të mbrojtur sërish titullin kampion.