Ndeshja e sotme me Kukësin është mundësia më e mirë që Dinamo City të bëjë kthesën në rezultate, duke filluar ngjitjen në tabelë. Blutë mezi e kanë pritur këtë ndeshje, pas atyre zhgënjimeve që lanë dy javët e para, sa u takon pikëve, pasi loja realisht ka qenë e mirë. Baton Zabërgja, një nga afrimet e shumta të Dinamos në merkaton e verës, shpreh besimin në një intervistë për “Panorama Sport”, se ka ardhur momenti për fitoren. Sulmuesi anësor nga Kosova tregon pse zgjodhi të bashkohet me blutë, situatën në skuadër dhe atë çfarë pret të arrijë në kampionatin shqiptar me Dinamon.

Pse zgjodhët Dinamon për të vazhduar karrierën?

Zgjodha Dinamon për arsye të emrit të madh që ka në futbollin shqiptar, por edhe për projektin shumë ambicioz që ka ky klub për të ardhmen. Është një projekt shumë serioz dhe më vjen mirë që jam bërë pjesë e kësaj skuadre.

Si ju duket skuadra, kur janë luajtur dy ndeshjet e para të kampionatit dhe ende asnjë pikë, edhe pse loja ka qenë e mirë?

Për mendimin tim, Dinamo është një skuadër e kompletuar, me lojtarë me kualitet. Ndoshta duhet vetëm pak kohë, sepse luajmë për herë të parë bashkë. Ne po stërvitemi mirë dhe jemi munduar të japim gjithçka në fushë. Megjithatë, na ka munguar dhe pak fati në dy ndeshjet e para, ku loja jonë ka merituar të shpërblehet me pikë si në derbin me Tiranën, ashtu edhe me Skënderbeun.

Çfarë mendoni për sulmin e Dinamos, shumë raste të humbura në dy javët e para?

Lojtarët e sulmit që kemi në skuadër janë me kualitet, pa dyshim. Është mirë që po krijojmë shumë raste në portën kundërshtare, por duhet të jemi më konkretë dhe më efikasë në finalizimin e aksioneve për ta bërë edhe më të lehtë punën e skuadrës në çdo ndeshje. Besoj se shumë shpejt situata do të ndryshojë në këtë drejtim.

Si e prisni ndeshjen e radhës me Kukësin, ku fitorja është detyrim për ju?

Kemi vijuar përgatitjet gjatë kësaj periudhe me shumë seriozitet. Kemi pasur më shumë kohë dhe jemi munduar të korrigjojmë gabimet që kemi bërë në dy javët e para. Nuk ka diskutim që do të futemi në fushë për të marrë maksimumin e pikëve. Na duhet të rikuperojmë sa më shpejt pikët që kemi lënë në dy javët e para dhe të ngrihemi në renditje. Kam shumë besim se Dinamo këtë herë do të fitojë. E respektojmë kundërshtarin, megjithatë nuk kemi rrugë tjetër veç fitores.

Sa e njihni kampionatin shqiptar, ku e parashikoni Dinamon në fund të tij?

E kam ndjekur kampionatin edhe më përpara se të bëhesha pjesë e Dinamo City. Mendoj se është një kampionat me nivel, ndërsa për Dinamon do të thosha se do të mundohemi ta çojmë në nivelin që meriton ky emër. Këtë mund ta arrijmë duke marrë maksimumin në çdo ndeshje, që të renditemi sa më lart. Në fund shpresoj që të jemi ndër vendet e para.

Si është të punosh me një emër të njohur, si Di Biaxho, dhe një ish-lojtar të Kombëtares shqiptare, si Memushaj?

Është privilegj për ne që na drejtojnë dhe njëkohësisht edhe një reklamë për kampionatin tonë, që emra të tillë vijnë të trajnojnë në Shqipëri.