Java në të cilën do hyjmë nesër, sigurisht që është shumë e rëndësishme për futbollin e shqiptarëve. Fillimisht më datë 6 tetor, në “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja Kosovë- Kroaci, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës ndërsa tre ditë më vonë, po në të njëjtin stadium, do të luhet ndeshja Shqipëri- Spanjë. E veçanta është se përveçse në të njëjtin stadium, kombëtaret e Shqipërisë dhe Kosovës do qëndrojnë në të njëjtin hotel në prag të këtyre takimeve.

Bëhet fjalë për “Gardenland Resort”. Lajmin e kanë konfirmuar vetë drejtuesit e këtij hoteli në faqen e tyre zyrtare. Përmes një njoftimi të bërë, ata kanë njoftuar të gjithë klientët e tjerë të këtij kompleksi se “resorti do të jetë i mbyllur në datat 4-9 tetor sepse në këto data do të jetë në shërbim vetëm për ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës në mënyrë ekskluzive”. Çka do të thotë se më datë 4, fillimisht hoteli do të zihet nga kombëtarja kosovare e cila do ta lirojë atë më datë 7, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes kundër kroatëve dhe pasi të ndodhë kjo, atëherë në të do të vijnë futbollistët dhe stafi i kombëtares shqiptare që do të qëndrojnë aty deri ditën e ndeshjes kundër spanjollëve sepse menjëherë pas përfundimit të saj, duket se ekipi do të udhëtojë drejt Durrësit për t’u sistemuar në rezidencën e tyre të zakonshme, në hotel “Tropikal” në Durrës. “Gardenland Resort” është një kompleks luksoz i ndërtuar muajt e fundit, vetëm 15 km në periferi të qytetit të Shkodrës dhe në të, kombëtarja shqiptare ka qëndruar edhe natën e ndeshjes me Maqedoninë. Kushtet e mira që ofron ky resort, duket se kanë bindur drejtuesit e ekipit kombëtar për t’u rikthyer sërish aty.Një zgjedhje e tillë është bërë edhe me qëllimin e lënies së futbollistëve larg tifozëve që natyrisht kanë një interes shumë të madh në këtë pragndeshje kundër spanjollëve.

© shkodrasport.com