Ditën e hënë, Vllaznia do të ketë trajnerin e ri. Me sa duket, klubi kuqeblu i ka dhënë zgjidhjen brenda shtëpisë për gjetjen e emrit të trajnerit të ri. Elvis Kraja, trajneri i Vllaznisë B, pritet që të marrë drejtimin e skuadrës deri në fund të këtij kampionati.

Nga burime të sigurta mësohet se ai do të zëvendësojë teknikun Hasan Lika. Kraja ishte një nga emrat që u përfol për të marrë drejtimin e ekipit që në verën e shkuar, por drejtuesit vendosen për Likën.

Por, pavarësisht kësaj, Kraja ka qenë shumë pranë Likës dhe për më tepër, bashkëpunimi mes dy ekipeve të Vllaznisë A dhe B ka qenë shumë i mirë. Madje, pjesëmarrja e Krajës në drekën e largimit të teknikut Lika nga Shkodra ka qenë edhe një sinjal më shumë se ky emër mund të ishte pasuesi i tij në stolin kuqeblu.

Gjithsesi, tani gjithçka duket e zgjidhur dhe ai do të jetë “timonieri” i ri i Vllaznisë për pjesën e mbetur të sezonit. Ai do të ketë në krah dyshen Osja e Lekiqi. Ndërkaq, skuadra e ka siguruar thuajse plotësisht rikthimin në Superiore.

KRAJA – Vetë Kraja është shfaqur diplomat lidhur me pyetjen nëse gjithçka ka marrë fund për sa i përket konfirmimit të tij në krye të skuadrës së parë. I kontaktuar nga gazeta, Kraja është shprehur se për momentin vëmendjen e ka te ndeshja që Vllaznia B ka sot ndaj Luzit, një përballje mjaft e rëndësishme për ekipin që aktualisht drejton.

Sa i përket marrjes së drejtimit të ekipit të parë, thekson se nuk ka asgjë përfundimtare. “Mendjen e kam te ndeshja që luajmë nesër me Luzin. Kam kërkuar nga ekipi i parë disa lojtarë që më janë përgjigjur, në mënyrë që të arrijmë një fitore në këtë takim. Momentalisht e kam mendjen te ky takim. Ndërsa për drejtimin e ekipit të parë, asgjë nuk është vendosur”, u shpreh Kraja.

SFIDAT – Sfidat e teknikut Kraja, i cili do të jetë në krye të ekipit, janë jo të vogla. Kalimi në Superiore është çështje javësh, por më e vështira nis pas këtij kampionati që po mbyllet. Atij do t’i duhet që të bëjë një farë seleksionimi si për lojtarët që mund të largohen, ashtu edhe për ata që mund të afrohen.

Po ashtu, duke qenë se është vit zgjedhjesh për bashkinë, teknikut do t’i duhet që të mbajë në punë skuadrën për ta bërë gati atë për sezonin e ri, deri në një votëbesim të tij apo në caktimin e një trajneri të ri.

Problemet për të mund të shtohen edhe për vetë faktin se financat në këto kohë mund të mos jenë tërësisht të sigurta. Ndërkaq, ekipi do të luajë javën e ardhshme sfidën e radhës në kampionat, ku në fushën e vetë do të presë Besëlidhjen.