Vllaznia e futbollit shumë shpejt do të hyjë në procesin e privatizimit. Ka qenë kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ajo që ka paralajmëruar përfundimin e procesit të nisur po nga ajo. Në një intervistë për mediat, Ademi ka thënë se do të çojë drejt realizimit premtimin e dhënë për privatizimin e KF Vllaznia sh.a.

Brenda një kohe të shkurtër, Ademi do të dërgojë projektin në Këshillin Bashkiak, nisur nga fakti se pozita e Vllaznisë sivjet është shumë më e mirë dhe ringritja në Superligë është thuajse 100% e garantuar.

Kryetarja Ademi ka thënë se, si në çdo aspekt të punës së Bashkisë Shkodër, transparenca do të jetë kriteri i parë. Ajo ka shtuar se do ti kërkojë Këshillit Bashkiak përcaktimin e kuotës së aksioneve që dot të nxirren në shitje, vlerën ku duhet të nisë ankandi por edhe kriteret që duhet të plotësojnë ata që duan të blejnë aksione. Kjo, për të garantuar një ecuri të qëndrueshme të ekipit, bashkë me fuqizimin e pritshëm pas privatizimit.

Në intervistën e saj, kryebashkiakja e Shkodrës ka folur edhe për stadiumin “Loro Boriçi”, i cili pritet të kalojë shumë shpejt në administrim të qeverisjes vendore si një aset i saj. Ademi ka siguruar se Bashkia i ka të gjitha kapacitetet menaxhuese- administrative dhe madje, prej 3 vitesh në buxhet alokohen fonde për të mundësuar kalimin në administrim të “Loro Boriçit”.

Edhe ky projekt, do ti kalohet Këshillit Bashkiak, ku duhet të përcaktohen edhe marrëdhëniet që do të ruhen me FSHF-në por edhe me KF Vllaznia sh.a. për mirëadministrimin e impiantit sportiv.

Duke folur për Vllazninë, kryetarja e Bashkisë Ademi ka thënë se stafi administrativ e sportiv po punon jo vetëm për arritjen e synimit- ringritja në Superligë, por edhe për përgatitjen e platformës për një ekip konkurrent për sezonin e ri. /Burimi: ShkodraWeb/