Skënderbeu ka barazuar me shifrat 2-2 kundër Teutës, duke dalë kështu me një pikë përballë kampionëve në fuqi. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Ora Sport“ në “Ora TV“ Vangjel Zguro ka lëshuar akuza kundrejt arbitrave dhe sistemit VAR, teksa shprehet se ekipi korçar po dënohet me qëllim në këtë fazë të parë të “Abissnet Superiores“.

Futbollisti i bardhekuqve ka folur gjithashtu edhe për të ardhmen e tij, duke shprehur hapur faktin se dëshira e tij ishte të transferohej në Amerikë pranë familjes së tij. Sa i përket objektivave të Skënderbeut, lojtari sqaron se ato janë renditja në 5 vendet e parë në kampionat dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

“Teuta është kampionia në fuqi dhe dihej që ishte ndeshje e vështirë. Ekipin e Skënderbeut u bë disa javë rresht që arbitrat po e dënojnë dhe po e dënojnë me qëllim. Këtë e them me 100% siguri. Duke vazhduar edhe sot që është penallti 100% dhe VAR-i as e pa fare. Më janë bërë 10 vite në Superiore. disa gjëra i kuptojmë dhe të flasim troç.

Në fund të fundit unë mbaroj kontratën në fund të vitit dhe nuk më intereson fare Skënderbeu, por le të flasim drejt. Janë gjëra me qëllim. Se mund të bëhet një herë, dy herë, por në 9 javë ka ndodhur 6 herë. Këtë vit jemi ekip pak më i fortë se vitin e kaluar, sepse kemi dy vite së bashku. Por sado më i fortë të jesh kur ke të gjitha këto kundër morali bie. Do vazhdojmë kështu dhe që sot e tutje nuk do ndalemi më.

Kur mbarova kontratën me Skënderbeun mora oferta. Por dëshira ime ishte të vazhdoja jashtë Shqipërisë, atje ku kam edhe familjen, në Amerikë. Kjo nuk ndodhi dhe në Superiore vendosa të qendroj te Skënderbeu, pavarësisht se kisha oferta nga ekipet e tjera.

Objektivi i Skënderbeut këtë sezon është të renditemi në 5 vendet e para dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë. Për të siguruar dhe ata që ia duan të keqen Skënderbeut, kur nuk ra Skënderbeu vjet (nga kategoria) kur ishte 18 pikë mbrapa, nuk ka shans të bjeri këtë vit. Këto nuk janë fjalë, do jenë vepra”, ka thënë Vangjel Zguro./Sport Ekspres/