Timo Verner nuk ka diskutim që është transferuar nga Çelsi për të qenë violina e parë e sulmit në “Stamford Bridge”. Sulmuesi gjerman e konfirmoi forcën e tij edhe me fanellën e kombëtares gjermane, ku shënoi të enjten në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve kundër Spanjës.

Por rivali i tij në klub, Olivie Zhiru, nuk i trembet 24- vjeçarit: “Sigurisht që unë nuk jam naiv dhe e di mirë që Çelsi e transferoi Vernerin për të luajtur, por e di edhe që nuk kemi të njëjtin rol dhe pozicion në fushë.

Atij i pëlqen të shkojë në krahë dhe hyjë në qendër. E ka bërë te Lajpcigu, por edhe te Gjermania. Kështu që po të ishte një sulmues që luante në rolin tim do të isha më i shqetësuar.

Por mendoj se në ndeshje të ndryshme dhe me rivalët e ndryshëm me të cilët do të përballemi, trajneri do të zgjedhë taktika të ndryshme dhe unë do të kem shansin të luaj ndeshjet e mia”, tha Zhiru.