Zv.trajneri i Vllaznisë u-17, Denis Zmijani ka qenë mbrëmë i ftuar në rubrikën e Star Sport. Ish-futbollisti kuqeblu komentoi për barazimin e fundit të shkodranëve kundër Teutës në shifrat 1-1. Sipas Zmijanit skuadra duhet ta menaxhonte më mirë avantazhin e po ashtu duhet të tregonte një ritëm tjetër. Po ashtu ai thekson se ndeshja e fundjavës kundër Partizanit do jetë shumë vendimtare.

Zmijani tha: “Barazimi në vetvete në transfertë mund të jetë një rezultat i kënaqshëm. Duke parë se po luhej në Durrës kundër një ekipi që po kalonte një super formë. Por unë kam zhgënjimet e mia nga ky takim sepse mendoj se duhej menaxhuar shumë më mirë ai avantazh i shpejtë i ekipit.

Skuadra edhe mund të goditej sepse Teuta i kishte rastet për të fituar edhe ndeshjen. Nuk është kjo Vllaznia që ne presim apo duam, duke parë edhe kualitetet që ka ekipi. Nuk di pse ekipi nuk arrin të prodhojë dy ndeshje rradhazi njësoj. Pamë një tjetër Vllazni kundër Partizanit në kupë e një tjetër në kampionat kundër Teutës.

Ekipit i mungon befasia dhe ritmi, që duhet për të bërë diferencën. Megjithatë kreu nuk është larg dhe Vllaznia duhet te tregojë veten dhe kualitetet që ka.

Duke filluar nga fundjava, ku do jetë ndeshja kundër Partizanit tashmë për kampionat. Takim që në syrin tim do jetë shumë i rëndësishëm në llogaritë për titullin kampion dhe objektivat e ekipit”.
Endri ÇINARI