Ndeshja e fundit e vitit 2023 për Juventusin, do të jetë dueli direkt i radhës dhe i fundit për zonën “Champions”, në këtë fazë të parë.

Të shtunën në “Allianz Stadium” vjen Roma e Zhoze Murinjos, por edhe ajo e ish-it të madh, Paulo Dibala, përveç se e të urryerit të ultrasve bardhezi, Romelu Lukaku. Bardhezinjtë sivjet janë pretendentë për titullin kampion, ku ndonëse 4 pikë nga Interi kryesues, pa dyshim që skuadra e Masimiliano Alegrit ka ditur që të trembë zikaltrit, edhe pse dy gabime në dëm të tyre ndaj Xhenoas, e larguan disi nga trajektorja e parakalimit “zonjën e vjetër”, në të cilën u gjend për tri javë me radhë.

Gjithsesi, çdo ndeshje është një histori më vete dhe pas vërshëllimës për fillimin e takimit asgjë nuk do të ketë më rëndësi, përveç dy skuadrave që do të provojnë të fitojnë. Dhe për sfidën në fjalë, Juventusi duket bindshëm favorit, duke qenë se ndryshe nga sezoni i kaluar, kur duelet direkte për zonën “Champions” ishin një tabu, sivjet Alegri dhe lojtarët e tij jo vetëm që nuk kanë humbur asnjë, por në 6 sfida kanë regjistruar një mesatare prej 2.3 pikësh për ndeshje (vjet ecte me 1.7 pikë), fryt i 4 sukseseve dhe 2 barazimeve: fitore 3-1 me Lacion, 0-0 me Atalantën, fitore 0-1 me Milanin, fitore 0-1 me Fiorentinën, 1-1 me Interin në Torino dhe fitore 1-0 ndaj Napolit.

Prandaj, në Torino shpresojnë që edhe kjo sfidë e fundit me Romën të ketë një fund të lumtur, ndonëse këtë herë Juventusi do të jetë nën presion, duke qenë se do të ketë mësuar edhe rezultatin e Interit, i cili luan sot në mbrëmje ndaj Xhenoas. Prandaj, humbin, barazojnë apo fitojnë zikaltrit, pa dyshim që në të dyja rastet, skuadra e Alegrit do të jetë e dënuar për të fituar, për të vazhduar ndjekjen e ëndrrës së titullit kampion.