Nevil Dede nuk është më trajneri i Dinamos. Klubi ka zyrtarizuar ndërprerjen e marrëveshjes me teknikun kryeqytetas, që erdhi si pasojë e rezultateve të fundit dhe rrëshqitjes së bluve nga vendi i parë në klasifikimin e Kategorisë së Parë.

Ashtu siç kishte paralajmëruar “Shkodra Sport”, largimi i Dedes është diskutuar që dje pas ndeshjes së humbur ndaj Tomorit dhe çdo gjë është konkretizuar me mirëkuptim mes palëve vetëm gjatë ditës së sotme.

Gazeta mësoi se emri që pritet të zëvendësojë Deden në pankinën e skuadrës është ai i Dritan Mehmetit, i cili e ka drejtuar edhe në të kaluarën këtë klub në Kategorinë e Parë.

NJOFTIMI I KLUBIT

FC Dinamo njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Nevil Dede.

Tekniku 48-vjeçar dhe stafi i tij nuk do të jenë më në krye të pankinës blu pas marrëveshjes së dyanshme të arritur mes palëve.

FC Dinamo e falënderon trajnerin Dede për kontributin e dhënë gjatë këtyre muajve në stolin dinamovit dhe i uron suksese në vazhdimësi.