Skënderbeu ka gjetur menjëherë edhe zëvendësuesin e Migen Memellit, teksa ditën e sotme ka zyrtarizuar edhe teknikun e ri që do i besohet skuadra përpjesën tjetër të sezonit.

Ivan Gvozdenoviç do të jetë trajneri i ri i Skënderbeut. Ish-mbrojtësi rikthehet në Korçë, por këtë herë më një tjetër status, atë të trajnerit.

Gvozdenoviç ka luajtur edhe si futbollist në Korçë, teksa ka qenë pjesë e rëndësishme e “Ujqërve të Dëborës” në sezonet 2011-2014. 41-vjeçari ka punuar si trajner dhe ka disa eksperienca në skuadra të ndryshme, ku e fundit ishte me ekipin rumun, Foresta Suceava.

Në fjalën e tij trajneri Ivan Gvozdenoviç është shprehur i lumtur që rikthehet në Korçë, tashmë ne rolin e trajnerit.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu, Korça është e ftohtë, por jam ndjerë ngrohtë sapo kam shkelur në stadium. Skënderbeu është një klub i madh dhe ne na takon të rikthejmë klubin sërish në nivelet e mëparshme. E njoh grupin, kemi kualitete por duhet të punojmë me anën psikologjike dhe mentalitetin e lojtarëve. Ne jemi Skënderbeu, si në ndeshjet në shtëpi por edhe jashtë do të shkojmë vetëm për fitore”, u shpreh trajneri bardhekuq.