Sulmuesi italian, Alesandro Matri ka bërë të ditur zyrtarisht këtë të mërkurë vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli, pas një karrierë rreth 15 vjeçare si futbollist profesionist, periudhë kjo e gjitha e shpenzuar në Itali.

Matri ka luajtur për të rinjtë e Milanit, më pas në një moment të karrierës përfundoi te Juventusi ku dhe më pas u ble nga Milani për 11 milionë euro, por nuk mundi të kishte sukses me kuqezinjtë.

“Pasi pashë se si shkuan ato 6 muaj me Breshan, vura re që më mungonte pak nxitja dhe në fushë nuk mora përgjigje pozitive. Nuk dëshiroja të mbështetesha dhe nuk është në karakterin tim të qëndroj në një vend ku nuk jap atë që kërkohet.

Kam pasur disa kërkesa, por nuk jam i bindur nga asnjëra prej tyre. Do të më mungojë jeta si futbollist. Nuk ankohem për karrierën time. I kam realizuar ëndrrat e mia,” tha 35 vjeçari për “Sky Sport”.