Flamurtari është klubi i vetëm që ka dalë publikisht kundër rinisjes së Superiores. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi e pranon renditjen aktuale dhe prek tema të shumta gjatë lidhjes direkte në emisionin “Fan Zone” në Supersport.

RIFILLIMI – “Jo, nuk duhet luajtur futboll në këto kushte. Unë e shoh në një plan tjetër, pasi në rast të infektimit me Covid-19, duhet të mbajë dikush përgjegjësi, në rastin konkret administratori. Unë jam për ndërprerjen e kampionatit, për rrëzimin e skuadrave që janë të fundit dhe shpalljen kampion të skuadrës që kryeson.

Pra, të jepen verdiktet sipas renditjes aktuale. Flamurtari është në vend të fundit dhe jam dakord që mbijetesa do të jetë e vështirë nëse luhet, por nuk e them për këtë arsye”.

FLAMURTARI – “Që të jemi korrektë, dështimin për rënien e Flamurtarit një kategori më poshtë e marr vetë përsipër. Përgjegjësia është e imja. Vazhdimësia ime në administrimin e klubit, lidhet me ligjin e sportit. Nëse ky ligj miratohet, unë vazhdoj, në të kundërt nuk kontribuoj më në sport, ose maksimumi do të financoj nga jashtë, deri në rikthimin e klubit në Superiore”.

6 VITE KUQEZI – “Unë në atë kohë iu përgjigja thirrjes së trajnerit Ernest Gjoka dhe kryebashkiakut Gjika, të cilët kishin një plan, ndaj që atëherë skuadra më mbeti mua. Prej 6 vitesh këtu nuk ka një vendim, nëse klubi do të privatizohet apo do të jetë publik. Nuk mund të jetë njëkohësisht edhe pronë publike, edhe private. FSHF? Unë vazhdimisht kam ndryshuar qëndrim, në varësi të rasteve, por nuk ndryshoj asnjëherë mendim”.

LARGIMI – “Nuk kam arsye të shkëputem me lezet, pasi mund të shkëputem direkt nëse e shoh të arsyeshme, sepse nuk i kam asnjë borxh askujt në këtë klub. Kam investuar sa kam mundur, por nuk i kam askujt borxh”.

SUKSESI I MUNGUAR – ”Nuk ka mundësi të gjesh formulë suksesi, kur ti investon 100% të shumës në një kompani ku ke zero përqind të aksioneve. Nuk më kujtohet shifra sa kam shpenzuar gjatë këtyre viteve”.

MENAXHIMI – ”Nuk mund të flasësh për menaxhim, pasi ne jemi një klub pa bilance. Unë kam kërkuar që të rregullohen rregullat e lojës dhe të provoj më pas veten time, jam apo jo i aftë për të drejtuar një skuadër futbolli”.

LIGJI I SPORTIT – “Dje ishte Rama në Vlorë dhe ia bëra të qartë që nuk ka nevojë të ndërtojë stadiume, por thjesht të miratojë ligjin e sporteve, pasi ky është hapi i parë për të thithur investitorë. Askujt nuk i ka interesuar të bëjë një ligj sporti, pasi deri tani të gjithë kanë abuzuar dhe vjedhur fondet, nëpërmjet menaxhimit të fondeve për klubet.

Për ligjin ka munguar vullneti politik, por Rama më ka garantuar se tani është gati dhe do miratohet shumë shpejt. Ndryshe nga Kosova, në Shqipëri kjo është çështje vullneti, pasi bashkitë në këtë mënyrë nuk ia japin futbollin biznesit dhe e përdorin për ta zhvatur. Mjafton të shihje zgjedhjet për kreun e FSHF-së, ku 70% e njerëzve ishin përfaqësues të bashkive, ndërkohë që investimin e bëjmë ne privatët”.

DUKA – “Kemi pasur konfrontime të ndryshme, në aspekte të ndryshme, por i kemi sqaruar dhe kaq. Për çfarë do mbahem mend? Unë jam ky që jam dhe nuk di të them për çfarë do të mbahem mend”.

BORXHET – “Unë kam shlyer borxhe të të tjerëve dhe kështu që nuk kam për të lënë asnjë borxh mbi Flamurtarin. Unë i kam bërë thirrje mikut tim Shpëtim Gjika që të shkojë të paguajë detyrimet e vitit 2012, për të cilat janë bllokuar llogaritë e klubit dhe më pas unë shlyej menjëherë detyrimet e mia”. /abcnews/