Vllaznia do të kërkojë vetëm fitore ndaj Luftëtarit. Këtë e thekson gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport” edhe Behar Ramadani.

Ai paralajmëron se trepikëshi do të ishte si dhuratë edhe për administratorin Suad Lici, pas sulmit që përjetoi të dielën e kaluar. Për shkodranin kjo është një ndeshje tejet speciale, pasi përballë do të ketë ish-ekipin. Ai ndien keqardhje për gjendjen e gjirokastritëve, e megjithatë thekson se do bëjë çmos që t’i mundë.

Përballeni me Luftëtarin e fundit të parafundit, i kalueshëm si kundërshtar?

Në letër mund të duket e lehtë, por këto janë ndeshje shumë delikate që duan përqendrim dhe motivim maksimal gjatë gjithë 90 minutave. Unë e shikoj si një përballje të vështirë.

Mendoni se do të përsëritet historia, pasi edhe në fazën e parë ju hapi jo pak probleme?

Prandaj e thashë që është një ndeshje e vështirë. Është e vërtetë që në fazë të parë ata na morën një pikë në fushën tonë. Nisur nga kjo, ne po përgatitemi që të mos lëmë vend për surpriza të pakëndshme.

Cili është objektivi i Vllaznisë në këtë takim?

Objektivi ynë është pa dyshim fitorja, pasi në të kundërt, i hapim të tjera probleme vetes.

Keni kaluar jo pak në Gjirokastër, a ju vjen keq që këtë sezon diskutojnë rënien?

Kam shumë kujtime në Gjirokastër. Është një qytet i bukur, me njerëz të mirë. Me këtë ekip kam luajtur disa vite dhe normalisht më vjen keq për gjendjen që po kalojnë. Do më bëhej qejfi nëse do të rikthehej ai Luftëtar që ishte para një apo dy sezonesh.

Nuk i keni fituar dy ndeshjet e fundit, a është Luftëtari shansi për të gjetur kthesën në shtëpi?

Këto dy humbje kanë qenë goditje për ne, por kemi dy mundësi shumë të mira që ta kthejmë situatën në favorin tonë. Ka ardhur koha e kthesës dhe pse jo të thyejmë tabunë që na ka përndjekur në Shkodër. Kemi lënë shumë pikë në shtëpi, që na kanë penalizuar në klasifikim.

Tritoli i vendosur në makinën e administratorit, a ka ndikuar në atmosferën e skuadrës?

Ajo ngjarje ndihet nëse i ndodh kujtdo në qytet, e jo më kur preket personi që po drejton sot klubin tonë. Më vjen keq, pasi administratori po mundohet të bëjë më të mirën për Vllazninë. Shpresoj që ekipi të reflektojë me fitore për t’i bërë një dhuratë edhe Licit. Këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin kurrë, e aq më pak në futboll.

Mendoni se kjo Vllazni e meriton këtë vend në të cilin ndodhet?

Nuk e meritojmë këtë pozicion, por besoj se do dalim shumë shpejt nga momenti që po kalojmë. Potencial kemi, por tani duhet vetëm të rregullojmë disa gjëra. Duhet më shumë përqendrim gjatë ndeshjes dhe sidomos në episode të veçanta. Jam i bindur që në fund do jemi më lart edhe në renditje.