Një tjetër talent i ri shqiptar bëhet protagonist në futbollin grek. Mbrojtësi 17-vjeçar Mario Mitaj, kapiteni i përfaqësueses U17 të Shqipërisë në edicionin e kaluar, ka debutuar sot mes profesionistëve në kampionatin grek, duke u rreshtuar si titullar me skuadrën e AEK në ndeshjen kundër gjigandëve të PAOK.

Mitaj, një lojtar i cili ka spikatur në ekipet e moshave të AEK dhe gjatë vitit të kaluar pandemia e ndaloi të shkonte për testim në akademinë e PSV dhe Benfikës që i bënë oferta futbollistit, prej fillimit të sezonit stërvitet me skuadrën e parë dhe shihet nga klubi si një nga talentet e të ardhmes.

Pas disa ndeshjeve në stol, sot atij iu dha mundësia që të debutonte me ekipin e parë, në një ndeshje prestigjioze ndaj një rivali shumë të fortë si PAOK.

Tani mbetet të shihet nëse FSHF do të veprojë me Mitajn siç ka bërë me emra si Broja, Çepele e Molla, duke djegur etapat dhe grumbulluar ata me ekipin e parë.

Për momentin, lojtari nuk ka marrë ftesë as nga përfaqësuesja U21, ndonëse prej kohësh është pjesë e ekipit të parë të AEK. /vipsport/