Në futbollin shkodran pas viteve ’90 kanë qenë jo të pakët ato që kanë lënë gjurmë. Dikush mund të ketë marrë meritat e duhura, dikush jo por ka patur edhe nga ata që shpesh janë anashkaluar. Një prej tyre është Gjovalin Stolaj (Colaj), ai i cili 21 vite më parë do të formonte një ndër të parat shoqata sportive në Shkodër, pikërisht “Djelmnia shkodrane”.

E bëri në vitin 1998, atëherë kur ishte vetëm 38 vjeç, por me një pasion të madh për të punuar me futbollistët e vegjël. Ka zgjedhur të punojë me një emër të nderuar të futbollit shkodran si Nikoll Gjergji dhe të dy sëbashku për vite me rradhë kanë kontribuar në futbollin e moshave në Veriun e vendit.

Gjovalin Stolaj me dëshirën dhe pasionin e tij krijoi disa ekipe grupmoshash, madje edhe ekip të rriturish me të cilin u përfaqësua në kategorinë e tretë. Emri “Djelmnia shkodrane” filloi të bëhej prezent kudo dhe nuk kanë munduar as trofetë e fituar.

Ashtu si dhe lojtarët e talentuar të dalë prej këtyre ekipeve, të cilët sot luajnë me sukses në ekipe të tjera të vendit por edhe jashtë Shqipërisë. Kjo ishte një biografi e shkurtër sportive për Gjovalin Stolajn i cili kohët e fundit për arsye shëndetësore është distancuar paksa nga futbolli aktiv megjithatë mendjen dhe zemrën i ka gjithnjë aty.

Me dëshirën e mirë për t’u rikthyer sërish dhe për të vazhduar dhënien e kontributit të tij në futbollin shkodran. Por, sot nuk duhet të mendojë për asgjë tjetër. Ai feston 59 vjetorin e lindjes dhe për këtë arsye, i duhet të festojë bashkë me familjen dhe të afërmit e tij.

Me këtë rast edhe gazeta “Shkodra Sport” i bashkohet urimit të shumë të tjerëve duke thënë: “Edhe 100 vite të tjera të lumtura Gjovalin Stolaj!”
© shkodrasport.com