Drejtori sportiv i Bayern Munich, Hasan Salihamidzic, këmbëngul se gjigantët e Bundesligës nuk e konsiderojnë zëvendësimin e trajnerit Niko Kovac. Ky i fundit ka qenë nën një presion të madh në “Allianz Arena”, por fitorja e thellë 5-1 ndaj Benfica në Ligën e Kampioneve, të martën, e lehtëson për momentin situatën e kroatit.

Salihamidzic tha se klubi nuk ka menduar për emërimin e një trajneri tjetër, pavarësisht se Bayern Munich e sheh veten në vendin e pestë të klasifikimit aktual të Bundesligës, me nëntë pikë larg Borussia Dortmund.

I pyetur nëse ai ka qenë në kontakt me Arsene Wenger, në lidhje me një punësim të francezit, Salhiamidzic ka ofruar një mohim të qartë. “Jo, – tha drejtori sportiv bavarez. – 100 për qind, jo. Ne nuk kemi kontaktuar asnjë trajner. Nuk kemi menduar për të punësuar një trajner tjetër”.

Barazimi 3-3 në shtëpi, ndaj Fortuna Dusseldorf, të shtunën e kaluar, e rriti më tej presionin mbi Kovac, me presidentin e Bayernit, Uli Hoeness, duke thënë se analiza e situatës do të bëhet pas përplasjes me Benfica.

Por, pas dopietave të Arjen Robben dhe Robert Lwandowski, si dhe një goli tjetër të Franck Ribery, drejtori Salihamidzic pret që analiza të jetë e drejtpërdrejtë, duke shtuar se “loja ka folur vetë”: “Ne thamë se do të flasim pas ndeshjes me Benfica dhe analiza me siguri do të jetë shumë e këndshme”./telesport/