Ekipi i Kombëtares së Shqipërisë U-15, që drejtohet nga trajneri Armand Dama, do të nisë nga dita e sotme një grumbullim tre-ditor me futbollistë të datëlindjes 2008.

Trajneri i U-15, Dama, ka ftuar 23-futbollistë kuqezinj të kësaj grupmoshe, ku pjesa dërrmuese e tyre janë pjesë e ekipeve të moshave në kampionatin shqiptar, teksa spikasin edhe tre lojtarë që luajnë për Akademinë Vllaznia, pikërisht portieri Qemal Mehmeti, Amer Kthupi dhe sulmuesi Jonis Volumi.

Në këtë grumbullim që ka nisur nga sot në Durrës dhe që do të zgjasë tre ditë, të gjithë futbollistët që kanë marrë ftesën nga stafi i ekipit U-15, do të kenë mundësinë të zhvillojnë disa seanca stërvitore përgjatë këtyre ditëve dhe të tregojnë cilësitë e tyre. Ky grumbullim i skuadrës U-15 vjen pothuajse një muaj përpara se kuqezinjtë e kësaj grupmoshe të zbresin në fushë për të përfaqësuar Shqipërinë në turneun zyrtar të UEFA.

Në këtë mënyrë, stafi kuqezi dhe trajneri Dama do të kenë mundësinë të shohin nga afër këta futbollistë dhe më pas të vendosin edhe listën përfundimtare të futbollistëve shqiptarë që do të jenë pjesë e këtij turneu, teksa tekniku do të marrë parasysh edhe futbollistët e tjerë që kanë qenë pjesë e grumbullimeve më të hershme përgjatë këtij viti. Të mërkurën, që do të jetë edhe dita e fundit e grumbullimit, është planifikuar të zhvillohet edhe një ndeshje miqësore.
Maringlen ZHIVANI