Kukësi ka arritur të fitojë shumë lehtë ndaj Teutës. Verilindorëve i është dashur vetëm pjesa e parë për të mbyllur ndeshjen dhe marrë tre pikë të rëndësishme, që e çojnë diferencën me Tiranën në katër pikë. Ndeshja është hapur në minutën e pestë me Vesel Limajn. Mesfushori godet në mënyrë perfekte jashtë zonës dhe gjen rrjetën e Stivi Frashërit.

Pas tij, stafetën e merr Gudberg Kuper. 22-vjeçari shërbehet në perfeksion në minutën e 12 nga Abazaj dhe 2-0. Në minutën e 35 verilindorët arritën të shënojnë golin e tretë sërish me Kuper dhe sërish Abazaj asistues. Kaq mjaftoi për ta hedhur në “tapet” Teutën, që në pjesën e dytë, jo që nuk është përpjekur, por e ka ndihmuar Kukësin të shkojë e qetë drejt fitores.

Aleksi mori dy kartonë të verdhë të shpejtë (brenda 5 minutave) dhe gjyqtari Jorgji e ndëshkoi me të kuq (minuta 54), duke lënë skuadrën me një lojtar më pak dhe shuar totalisht shpresat e durrsakëve. Për të “errësuar” akoma më shumë këtë natë të Teutës mendoi Beqja, i cili bën rolin e portierit pas goditjes së Abazajt dhe lë Teutën me nëntë lojtarë. Penalltinë e merr përsipër Musolli, por Frashëri pret dhe rezultati mbetet 3-0.

Të dyja skuadrat luajnë për të shtyrë minutat, me të rinjtë e Kukësit (Domi dhe Çema), që mundohen të argëtohen, por nuk e dërgojnë topin në rrjetë. Në fund Krasniqi mendon të skuqë anën e verilindorëve në tabelën e ndeshjes dhe merr të dytin e verdhë, pas një ndërhyrje ndaj Çyrbes në afërsi të zonës. Kaq për këtë ndeshje, që për hir të së vërtetës zgjati vetëm 35 minuta, rradhë ndodh, por ja që ndodh. /vipsport/