Pak ditë më parë shënoi një gol shumë të rëndësishëm. Atë që i dha fitoren KF Murlanit në ndeshjen e tij të parë historike, atë ndaj ekipit të Kinostudios. Një gol që erdhi kur rezultati ishte 3-3 dhe me realizimin e tij ekipi shkodran mori një fitore shumë të vyer.

E kemi fjalën për futbollistin e njohur Albert Kaçi. Pas tre muajsh ai mbush 40 vjeç, por duket se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga futbolli. Një gjë të tillë e ka deklaruar vetë ai në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa ku ka qenë i ftuar.

“Ishte një ftesë e trajnerit Xhahysa që më bëri ta mendoja këtë gjë dhe e pranova duke u federuar me ekipin e Murlanit. Më vjen mirë që dhashë një kontribut në fitoren e këtij ekipi me atë gol që shënova.

Unë vërtetë kam edhe liçensën e trajnerit, por më duket se nuk ndjehem mirë si trajner. Unë ndjehem më mirë duke luajtur në fushë dhe këtë gjë e bëj me shumë dëshirë. Dua të vazhdoj të luaj deri kur të kem forcë dhe pse jo, shpresoj të firmos edhe me Vllazninë në vazhdim (qesh)”.

I pyetur për të ardhmen, Kaçi do të shtonte: “Kam dëshirë të vazhdoj dhe këtë gjë ndoshta duhet të bëjnë edhe të tjerë kur lënë sportin në nivele të larta. Ata duhet ta vazhdojnë pasionin e tyre duke luajtur në ekipe të kategorive më të ulëta, por e rëndësishme është të vazhdojnë të luajnë, siç do të bëj unë”.