Humbja me Teutën duhet t’i takojë së kaluarës. Pavarësisht se kujtimi është i freskët, trajneri Ernest Gjoka këmbëngul se Vllaznia nuk ka kohë të qajë atë çfarë ndodhi.

Por duhet të përqendrohet te detyra për të fituar ndeshjet në shtëpi, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa.

“Jemi të detyruar ta harrojmë humbjen në Durrës dhe të ecim përpara. Ajo ndeshje qe një zhgënjim dhe e kemi ndjerë të gjithë shumë, por nuk kemi kohë të qajmë për atë që humbëm.

Duhet të shohim përpara sepse jemi në një moment të vështirë. Të kemi mundësi nga ana matematikore që ndeshjet në shtëpi janë oksigjen për të mbijetuar në Superligë”- ka deklaruar Gjoka.

Luftëtari nuk është kundërshtari më komod për tu përballur në këto momente, por edhe pse vlerëson potencialin ofensiv të rivalëve, Gjoka beson se kuqeblutë mund t’ia dalin.

“Llogaritë janë tashmë evidente. Duhet të bëjmë maksimumin për të fituar. Nuk është e lehtë bazuar te kundërshtari apo cilësitë që ata kanë.

Por, nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç tre pikëve. Luftëtari ka shumë cilësi, sidomos në sulm. Por, nëse i kontrollojmë mirë dhe me dëshirë mund ta kalojmë këtë ndeshje”- shton me tej numri 1 i pankines shkodrane.

Në Shkodër e shohin veten të dënuar për fitoren, me trajnerin që pranon publikisht se në momentin ku ndodhet kampionati është i detyruar ti besojë lojtarëve që kanë më tepër eksperiencë.

“Absolutisht që nuk kemi rrugë tjetër. Jemi të dënuar të arrijmë fitoren. Këtë javë Malota është i padiskutueshëm në formacion sepse është një nga liderët.

Kemi shumë lojtarë në formë, por për momentin kemi bërë zgjidhje përsa i takon eksperiencës. I kemi dhënë më tepër besim lojtarëve që kanë më shumë përvojë për të gjetur sa më shpejt golin”- thote ne fund trajneri Gjoka.
© shkodrasport.com