Kampionati i femrave ka luajtur ditën e djeshme të pesta ndeshjet e javës së 20-të. Kështu, një ndeshje mjaft e luftuar u zhvillua në fushën sportive Zmijani, me ekipin e Atletik Club që priti Teutën, duke e mundur me rezultatin 4-3.

Durrsaket e nisën mirë këtë sfidë, duke kaluar në avantazh me Pucën në minutën e 21-të, por vajzat e Atletik Club iu përgjigjën shumë shpejt me Armokun, e cila realizoi dopietë në harkun kohor të 10 minutave, duke dërguar shifrat në 2-1 për Atletik Club.

Ndërkohë, pas dy minutash, sërish Atletik Club do të shënonte edhe golin e tretë me Markajn, në minutën e 44-të. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, 3-1 në favor të Atletik Club.

Në pjesës e dytë, Kaçorri ngushton shifrat për Teutën në 3-2, më konkretisht në minutën e 76-të. Ndërkohë, në minutën e 83-të, Atletik Club arrin të shënojë edhe një tjetër gol duke e dërguar rezultatin në 4-2, me Armokun që shënoi golin e tretë personal në këtë ndeshje, duke i dhënë tre pikët Atletik Club në këtë sfidë.

Pas dy minutash, Teuta do të ngushtonte sërish shifrat, me Kaçorrin, duke e dërguar rezultatin 4-3 në favor të Atletik Club. Megjithatë, gjithçka do të mbyllej këtu me këtë rezultat.

Pas kësaj fitoreje, Atletik Club renditet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit me 22 pikë.
Maringlen ZHIVANI