Megjithëse nuk ka akoma një vendim përfundimtar në lidhje më mbarëvajtjen e Kategorisë Superiore, të premten dhe të shtunën e ardhshme janë programuar të luhen ndeshjet e javës së 27. Të premten zbresin në fushë dy skuadrat kryesuese. Tirana do të provojë të vazhdojë serinë perfekte në tranfsertë kundër Bylisit, që nga ana tjetër do të synojë të marrë fitoren e parë të vitit aktual ndaj skuadrës më të mirë të momentit.
Kukësi do të ketë një mundësi të mirë në letër për të mos lejuar Tiranën të shkëputet më tepër. Verilindorët luajnë kundër Luftëtarit, që në fakt herë pas here kanë treguar se janë të gatshëm t’i prishin punë çdokujt dhe në fazën e dytë i morën verilindorëve një barazim, duke nisur kështu krizën, që më pas solli edhe shkarkimin e trajnerit Shpëtim Duro.
Të shtunë janë planifikuar të luhen tre ndeshjet e tjera. Në orën 14:00 luhet Flamurtari-Vllaznia dhe Laçi-Teuta. Shkodranët do të përpiqen të fitojnë ndeshjen e tyre dhe të përfitojnë nga një hap fals i Bylisit me Tiranën. Kurbinasit dhe durrsakët luajnë duelin direkt në luftën e ashpër për një vend në kompeticionet europiane.
Ndeshja përmbyllëse e javës së 27 është Partizani-Skënderbeu në orën 17:00. Dy skuadra që po kalojnë momente tërësisht të kundërta. Skuadra e Dajës po fiton ndeshje pas ndeshje, ndërsa kampionët në fuqi po dalin tërësisht nga objektivat sezonalë. /vipsport.al/









