Me ose pa dashje, Vllaznia e pathyeshme e katër javëve të para të kampionatit, ka filluar të bëhet faktor edhe në studio televizive të kryeqytetit. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në “Rubrika Sportive” në RTSH ku ka qenë i ftuar drejtori i përgjithshëm i Partizanit, i cili përpos skuadrës së tij është pyetur edhe për ecurinë e kuqebluve në këtë fillim kampionati.
“Superiorja është një kampionat ku skuadrat luajnë me njëra- tjetrën katër herë dhe sigurisht që është shumë herët për të dalë në një konkluzion se kush do të jenë pretendentët sepse janë luajtur vetëm 4 javë deri tani. Për rrjedhojë ne as nuk fluturojmë me pretendimet tona dhe as nuk jemi të dëshpëruar me pozicionin ku ndodhemi”- ka thënë fillimisht Rama për pretendimet e skuadrës së tij.
Ndërkohë i pyetur për Vllazninë, drejtori i të kuqve ka vlerësuar ndryshimet pozitive që kanëndodhur në klub dhe në skuadër, megjithatë ka thënë se është herët për të thënë nëse kjo skuadër do jetë apo jo pretendente.
“E kam ndjekur Vllazninë që nga merkatoja që ka bërë dhe zhvillimet e tjera që ka patur brenda klubit. Më duket se ka vepruar saktë dhe bukur për atë lëvizje që ka bërë. E kam parë shumë pak, vetëm një 45 minutësh sepse është shumë e vështirë t’i ndjekësh të gjitha skuadrat me këtë kalendar të ngjeshur që është.
Me aq sa e kam parë, me thënë të drejtën më ka pëlqyer për mënyrën si luan dhe si vendoset në fushë. Mbase edhe sponsori i ri ka sjellë qetësi në klubi, trajneri po ashtu është një faktor i rëndësishëm sepse ka ardhur nga jashtë dhe mbase sjell edhe ai një dimension tjetër të një qetësie brenda Vllaznisë.
Megjithatë e përsëris, është shumë herët për të thënë se kush do të jetë pretendent. Jam i bindur se 6-7 ekipe do të zgjohen por nëse trajneri i Vllaznisë gjen amalgamën e duhur të lojtarëve, ekipi mund të vazhdojë të bëjë mirë dhe të kthehet në faktor në Superiore”- ka deklaruar Olsi Rama. /SHKODRA-SPORT.COM/