HomeFUTBOLL - KATEGORIA E PAREApolonia me sytë nga Shkodra. Synon tre futbollistë të rinj të Vllaznisë

Apolonia me sytë nga Shkodra. Synon tre futbollistë të rinj të Vllaznisë

Apolonia nuk heq dorë nga të rinjtë. Edhe gjatë kësaj merkatoje verore duket se fierakët nuk do të heqin dorë nga filozofia e tyre: promovimi i elementit të perspektivës. Vëmendja e klubit këtë herë është zhvendosur në Veri, më konkretisht në “djepin” e futbollit, Shkodër.

Bardhejeshilët kanë shfaqur interes për 3 lojtarë të Vllaznisë, të cilët nuk kanë gjetur hapësira tek ekipi i parë. Bëhet fjalë për dy mbrojtës dhe një mesfushor, konkretisht Geralb Smajli, Klejdi Paloka dhe Uheid Hoxha. Dy të parët nuk janë as pjesë e fazës përgatitore në Serbi, ndërsa i treti po.

SMAJLI – Geralb Smajli është i pari në listë. Lojtari i lindur më 16 maj 2002 mund të luajë në repartin defensiv, por edhe në mesfushë. Është produkt i akademisë Vllaznia dhe aktivizua me U19 të Shkëndijës së Tiranës dhe Vllaznisë. Ai gjithashtu është pjesë e Kombëtares U20, ku ka marrë 134 minuta në dy ndeshje.

KLEJDI PALOKA – I dyti është Klejdi Paloka i datëlindjes 10 maj 2002. Është një mbrojtës që ka spikatur te të rinjtë e Vllaznisë, por nuk ka pranuar të nënshkruajë për ekipin e parë, pasi kërkon që të ketë sa më shumë aktivizime në fushë dhe Apolonia është një skuadër që mund t’i mundësojë. Edhe Paloka është pjesë e Kombëtares shqiptare U-20.

UHEID HOXHA – I treti është Uheid Hoxha, mesfushor teknik i datëlindjes 2000. Bëri një paraqitje të shkëlqyer me Besën para dy edicionesh, ndërsa vjet me Vllazninë nuk e preku asnjë minutë fushë. Nëse do të realizohej marrëveshja me 3 futbollistët e mësipërm, atëherë Apolonia do të krijonte “koloni” shkodrane, pasi në radhët e fierakëve luan edhe mbrojtësi Serjan Repaj.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments