HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREGurishta- Hakaj, 'linjat' që po spikasin në kampionatin shqiptar

Gurishta- Hakaj, ‘linjat’ që po spikasin në kampionatin shqiptar

Dy ndër pozicionet që kohët e fundit te Vllaznia kanë bërë shumë mirë, është krahu i djathtë dhe i majtë i mbrojtjes. Statistikat në edicionin aktual dëshmojnë se mbrojtësit e krahëve, Erdenis Gurishta dhe Esin Hakaj janë duke shkëlqyer dhe ndihmuar skuadrën me asist.

Në fakt, Gurishta dhe Hakaj janë dy mbrojtësit e krahut më të mirët aktualisht në Shqipëri, teksa duhet thënë se ata të dy kanë qenë ndër pikat më të forta të Vllaznisë së këtij sezoni.

Gurishta ka luajtur 17 ndeshje në 19 javë të zhvilluara deri më tani, teksa ka munguar vetëm për shkaqe kartonësh. Në këmbët e tij, 26-vjeçari ka 1530 minuta në këtë sezon, teksa ka arritur të shënojë edhe një gol atë ndaj Laçit në fillimin e sezonit.

Kapiteni ka besimin e plotë të stafit teknik dhe konsiderohet tashmë një pjesë e rëndësishme e formacionit kuqeblu, teksa mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes, por edhe në të majtë.

Ndërkohë, në krahun tjetër, Hakaj, një prej titullarëve të padiskutueshëm, e nisi mjaft mirë edicionin me Vllazninë duke luajtur ndeshje fantastike në kampionat. Hakaj ka qenë i vetmi futbollist, i cili ka luajtur në të 19 ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Pa munguar asnjë ndeshje me Vllazninë në fushën e lojës, e bën që ky sezon të jetë për vitrinë për Hakajn. Për 1631 minuta ka qenë pothuajse gjithnjë titullar, me përjashtim të ndeshjes me Egnatian, teksa vuante nga një dëmtim. Ndoshta ky mund të konsiderohet sezoni i Hakajt, teksa në këtë edicion ai ka dhënë edhe katër asist.

Nëse Vllaznia sivjet ka marrë disa rezultate pozitive, padyshim që një meritë në rezultatet e arritura kanë edhe mbrojtësit e krahut, Erdenis Gurishta dhe Esin Hakaj.
Maringlen ZHIVANI

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments