Në futboll fatin e një ndeshje e vendosin shumë gjëra. Kualitetet e ekipeve, shansi, motivimi i futbollistëve, tifozët apo dhe gabimet e arbitrave. Nganjëherë, për të përcaktuar fatin e një takimi, mund edhe t’i referohesh statistikave të përballjeve të mëparshme. Nëse ndalemi tek përballjet në mes Lushnjës dhe Vllaznisë, kupton qartë se bilanci anon dukshëm nga ana e shkodranëve. Kuptohet që kjo ishte mëse e pritshme për vetë historinë e përballjeve në mes tyre.
Por në këto përballje ka edhe një fakt interesant që duhet bërë publik. Lushnja nuk fiton në shtëpi me Vllazninë që prej 12 vitesh. Suksesi i fundit i përket 12 marsit të vitit 2005, kur lushnjarët fitonin 2-0 ndaj kuqebluve me golat e Arlind Norës dhe Klodian Arbrit. Më pas, në pesë përballje të luajtura në “Roza Haxhiu”, Lushnja njeh një barazim dhe katër humbje. Nesër vërtetë nuk luhet në Lushnjë por konsiderohet një ndeshje “në shtëpi” për lagunarët që do të tentojnë të thyejnë këtë “ters” në përballjet me veriorët që vështirë se do heqin dorë edhe ata nga dëshira për ta fituar këtë ndeshje dhe për të vazhduar serinë e triumfeve ndaj këtij kundërshtari.
© shkodrasport.com