“Infantino ka ide çdo mëngjes, në çdo orë dhe në çdo fjalim. Shpresoj që kjo të jetë vetëm një tjetër ide, si ajo e Kupës së Botës për Klube apo rritja e numrit të skuadrave kombëtare… Shpresoj që të mbetet vetëm një ide”. Kështu është shprehur Javier Tebas, presidenti i La Liga-s, në lidhje me hipotezën e avancuar nga FIFA për zhvillimin e Kupës së Botës në dimër:
“Së pari, këto janë gjëra që duhet të dakordohen me të gjitha ligat, sepse kampionatet luhen nga gushti deri në maj. Kjo do ta përmbyste tregun audioviziv dhe do t’i dëmtonte ndjeshëm garat. Nuk e di nëse Infantino e ka problem këtë”.
Presidenti i klubeve spanjolle foli gjithashtu për ndeshjen Villarreal–Barcelona, e cila më 20 dhjetor do të zhvillohet në një kontinent tjetër (në Miami), ashtu si Como–Milan që është parashikuar të luhet në Australi. “Nuk është çështje parash, – theksoi Tebas. – Ne kemi zakon të monetizojmë gjithçka, por NFL nuk vjen në Madrid për para, as NBA nuk shkon në Europë për para. Ata shkojnë për të ndërtuar një markë dhe krijuar tifozë të rinj.
Ne kemi shumë tifozë në SHBA, sidomos katalanasit. Përparësi absolute kanë tifozët e Villarrealit që duan të vijnë. E nënvizoj: kjo nuk është nismë me synim përfitimin ekonomik. Është si ndeshjet miqësore që zhvillojnë klubet. Do të luajmë vetëm një ndeshje të La Liga-s në vit jashtë vendit, ky është synimi. Në Europë kemi diçka të mirë, futbollin. Qëllimi është të promovojmë traditën”./telesport/