Pas përfundimit të merkatos dhe formatimit total të skuadrës për edicionin 2025-26, vlera e skuadrës së Vllaznisë kap një shifër prej 5 milionë eurove në tregun e shit-blerjeve të futbollistëve. Kështu afrimi më i fundit në radhët e shkodranëve, Jasmin Çelikoviç ka rritur vlerën e ekipit të Martinit me 300 mijë euro.

Pasi ky është çmimi me të cilin vlerësohet boshnjaku në merkato sipas faqes së specializuar të “Transfermarkt”. Po sipas kësaj faqeje, futbollisti më i shtrenjtë në radhët e 9 herë kampionëve të vendit është Sherif Kallaku. Me fushëkrujasin, i cili kap vlerën e 700 mijë eurove në merkato, duke qenë kështu futbollisti i dytë më i shtrenjtë në Superioren e këtij sezoni.

Ku para tij qëndron vetëm Rouan Human, i afruar së fundmi tek Partizani dhe që vlerësohet me 850 mijë euro në treg. Pas Kallakut gati me gjysmën e vlerës së ishfantazistit të Teutës për nga vlera e kartonit te Vllaznia vjen Esat Mala. Prizrenasi kap një vlerë prej 400 mijë eurosh në merkato, duke qenë kështu futbollisti i dytë më i shtrenjtë tek kuqeblutë.

Aron Jukaj dhe Aleksandër Kuros mbyllin podiumin e futbollistëve më të shtrenjtë tek Vllaznia, me dyshen që vlerësohen me 300 mijë euro në treg. Të cilëve tashmë iu është bashkuar edhe Çelikoviç me çmimin prej 300 mijë eurosh. Përshtypje bën vlera vetëm prej 200 mijë eurosh që vlerësohet Kastrati, me një futbollist që më parë në treg kishte shifrën e 2 milionë eurove.