Është trajneri i fundit i cili ka drejtuar Vllazn inë drejt një titulli kampion, ku para 24 vitesh ishte në krye të pankinës shkodrane. Fjala është për Dervish Haxhiosmanoviç, trajnerin e parë të huaj në historinë e futbollit shqiptar i cili u shpall kampion. Malazezi i cili është rikthyer në futbollin tonë, duke drejtuar tashmë Basanian që përfaqëson zonën e Bushatit në Shkodër ka folur për “Panorama Sport”.
Në fjalët e tij 67-vjeçari ndalet te kjo aventurë e re futbollistike të karrierës së tij si trajner. Ku ndalet edhe te Vllaznia, që ngelet gjithmonë në zemrën e tij, ku zbulon edhe disa “sekrete” apo të pathëna të viteve të arta të futbollit shkodran. Emocionet e titullit kampion të vitit 2001, marrëdhëniet me futbollistët, presidentët, por edhe tifozët shkodranë që ngelin të veçantë sipas “Dedës”.
Profesor, sërish në futbollin shqiptar tashmë te një ekip si Basania, çfarë mund të na thoni për këtë eksperiencë?
Po, është e vërtetë që jam rikthyer sërish në Shqipëri e në Shkodër. Për mua është gjithmonë një kënaqësi të drejtoj në këtë qytet ku kam kujtime fantastike. Dua ta falënderoj edhe presidentin, Ermir Shimaj të Basanias që më kontaktoi dhe besoi tek unë. Shpresoj të bëjmë një punë të mirë dhe të jemi në nivelin ku duhet, pavarësisht se skuadra është ne Kategorinë e Dytë me sa kam parë ka shumë garë dhe do jetë shumë e vështirë. Por, ne do mundohemi çdo herë për fitore dhe lojëra të mira.
Vllazninë në veçanti, si do e analizoje?
Vllaznia këtë sezon më duket më e motivuar dhe përgatitur se asnjëherë në këto vitet e fundit për të arritur gjëra të mëdha. Janë marrë në merkato futbollistë me emër që po bëjnë diferencën në fushë. Skuadra ka rikthyer disi atë stilin sulmues që duan në Shkodër dhe i shoh në rrugën e duhur. Nga sa kam parë momentalisht janë skuadra më e mirë dhe përgatitur në gjithë kampionatin.
Mund të përmirësojë ende skuadra në javët e ardhshme?
Çdo ekip ka nevojë për përmirësime në çdo moment, s’ka kurrë perfeksion. Ndoshta mbrojtja duhet të jetë më e kujdesshme dhe këtu them për gjithë ekipin. Pasi stili sulmues lë shumë hapësira pas, që dërgon në pësimin e golave. E po ashtu finalizimi deri diku, pasi skuadra ka shpërdoruar shumë në këto javë ku mund të kishte shënuar shumë më shumë gola. Por, besoj se këto gjëra i dinë Martini edhe Sinani (qesh).


