Është vetëm 15 vjeç, por në Brazil të gjithë flasin për të. Eduardo Conceição, i njohur si Dudú, është ylli më i ri që po lind nga akademia e famshme e Palmeiras, klubi që vitet e fundit ka prodhuar talente të mëdha si Endrick dhe Estêvão. Tani, një tjetër fenomen po përgatitet të thyejë rekorde dhe të ndezë një garë ndërkombëtare mes klubeve më të mëdha të Europës.

Sipas mediave braziliane, Palmeiras ka refuzuar tashmë një ofertë prej 16 milionë eurosh për 15-vjeçarin, i cili do të mbushë 16 vjeç në dhjetor, moment kur do të mund të nënshkruajë kontratën e tij të parë profesioniste. Nuk është bërë publik emri i klubit që bëri ofertën, por bëhet fjalë për një gjigant europian i gatshëm të investojë fort për të siguruar shërbimet e talentit brazilian.

Dudu aktualisht luan me skuadrën U17 të Palmeiras, ku shpesh përballet me kundërshtarë dy vite më të mëdhenj në moshë. Ai është anësor i majtë me këmbën e djathtë, i njohur për driblimin, shpejtësinë dhe ndjesinë e tij për golin, që kujton stilin e Estevao, i cili sot shkëlqen në Premier League me Chelsean e Marescës.

Në korrik, lojtari mori edhe thirrjen e parë me kombëtaren e Brazilit U17, një tjetër dëshmi e zhvillimit të tij të shpejtë. Për ta mbrojtur nga ofertat e shumta, Palmeiras planifikon të vendosë një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh, shifër rekord për një futbollist të moshës së tij.

Klube si Chelsea, Real Madrid dhe PSG po e ndjekin me vëmendje zhvillimin e adoleshentit, ndërsa në Sao Paulo janë të bindur: Dudú është talenti i ardhshëm i madh i futbollit brazilian, i destinuar të pushtojë Europën.