Premtimi i drejtuesve të “Eagle Cup Albania”, turneut që u zhvillua këtë qershor në Tiranë, se do të kishte një finale Superkupe në mes fituesit të turneut të zhvilluar në Shqipëri dhe atij të turneut të famshëm në Itali “Viareggio Cup”, tashmë është zyrtarizuar.
Mësohet se ditën e sotme është firmosur dhe marrëveshja në mes Alessandro Palagi, president i Qendrës së Futbollistëve të rinj, organizatorit të “Viareggio Cup” dhe Vasenka Rangu Leka, presidentes së Fondacionit “Albitsol”, i cili promovoi dhe organizoi “Eagle Cup Albania.
Tashmë gjithçka është zyrtarizuar dhe finalja e Superkupës së turneut të Viareggios do të luhet më 4 dhjetor në ora 15:00 në stadiumin “Torquato Bresciani” dhe hyrja do të jetë falas. Përballë njëra- tjetrës do të jetë Genoa U18 e udhëhequr nga trajneri Gennaro Ruotolo, e cila triumfoi në finalen e turneut të 75-të të “Viareggio Cup”, duke mposhtur Fiorentinën 1-0 në finalen e luajtur në Stadio dei Pini para afërsisht 3,000 spektatorëve.
Vllaznia U19 nga ana tjetër mundi Veronën (me të njëjtin rezultat) në ndeshjen finale të “Eagle Cup Albania”, e cila u luajt në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.
“Kjo finale Superkupe u krijua me qëllim promovimin e mesazheve të unitetit dhe solidaritetit përmes futbollit”, shpjegon Alessandro Palagi, president i Qendrës së Futbollistëve të rinj, organizatorit të “Viareggio Cup”.
“Promovimi i vlerave të tilla si respekti, besnikëria dhe lufta kundër çdo forme diskriminimi dhe dhune është një nga misionet që përcakton më shumë punën tonë. Do të jetë një mundësi për të nxjerrë në pah se si sporti mund të bëhet një mjet i jashtëzakonshëm për rritje sociale dhe kulturore. Jemi të kënaqur dhe krenarë që kemi nisur një udhëtim të përbashkët, i cili rinovon miqësinë e thellë midis Italisë dhe Shqipërisë”- ka shtuar Palagi.
Nga ana tjetër është prononcuar Vasenka Rangu Leka si presidenti e Fondacionit “AlbItSol”, organizatorit të “Eagle Cup Albania” e cila është shprehur: “Ne gjetëm largpamësi dhe pasion të pazakontë tek Presidenti Palagi dhe Qendra e Futbollistëve të Rinj. “Viareggio Cup” është një nga turnetë më të respektuar të futbollit në botë: nuk është rastësi që e morëm si model për krijimin e “Eagle Cup Albani”, me qëllim që t’u ofrojmë një mundësi të vlefshme të rinjve të panumërt. Shpresojmë që ky trofe të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë dhe të frytshëm.”








