Bayern-i i Mynihut triumfoi 2-1 në Francë përballë kampionëve në fuqi të Champions League duke tërhequr vëmendjen e medieve të cilat operojnë në vendet e dy skuadrave, të cilat i dhanë jetë një “beteje” të vërtetë sportive.
Sipas francezës ”L’Équipe”, “PSG ishte dukshën në vështirësi në pjesën e parë. Superioriteti i Bayern-it në ‘Parc des Princes’ ishte i dukshëm gjatë 45’ të para. Ekipi i Enrique përjetoi një mbrëmje të tmerrshme pasi përveç humbjes i duhet të bëjë llogaritë edhe me dëmtimet e lojtarëve si Ousmane Dembélé dhe Achraf Hakimi”.
Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe “Le Figaro”: “Bayern është në krye. Fitorja e 16-të në 16 ndeshje për ekipin e Vincent Kompany, i cili duhej të luftonte në inferioritet numerik në pjesën e dytë. Kampionët e Europës, të cilët u dominuan nga një kundërshtar më i fortë në pjesën e parë, humbën më shumë se vetëm tre pikët dhe vendin e parë në tabelë”.
Sipas portalit “Ouest-France”: “Luis Enrique ishte i paralajmëruar se ky ekip i Bayern-it është i frikshëm dhe nuk ka nevojë për shumë që të zbulojë potencialin e tij të plotë”.
Për “Le Parisien”: “Të martën në mbrëmje në ‘Parc des Princes’, kampionët e Europës pësuan një kolaps taktik dhe humbën dy lojtarë kyç. Çfarë mbrëmjeje e mjerueshme!”.
Sa u përket medieve gjermane “Sky” komentoi ndeshjen me titullin: “Në ndeshjen e tyre vendimtare kundër kampionëve në fuqi, Paris Saint-Germain, skuadra e Vincent Kompany dha një performancë të nivelit të lartë”.
Ndërsa portali “SPOX” shkruante: “Thyesit e rekordeve, të pandalshëm vazhduan ngjitjen e tyre meteorike me një performancë të gjallë në përballjen e trazuar të Ligës së Kampionëve në Qytetin e Dashurisë”.
Për “Sport 1” ajo e mbrëmshmja ishte: “Një betejë nervash! Bayern siguron një fitore të jashtëzakonshme”.
Ndërsa “Kicker” komenton: “Në ‘Parc des Princes’, pas një pjese të parë të dominuar, Bayern-i u detyrua të luante me dhjetë lojtarë në pjesën e dytë ku arriti të mbijetonte pas një shfaqjeje të zjarrtë në mbrojtje”.







