Besëlidhja vijon të koleksionojë vetëm fitore tre shifrore në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj. Lezhjanët shënuan suksesin e pestë në po kaq ndeshje të këtij sezoni, teksa mbrëmjen e djeshme likuiduan Fierin me rezultatin 113-52 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Një takim pa histori, i dominuar totalisht nga skuadra e Afrim Bilalit. Ndeshja nisi me ritëm të mirë ofensiv nga të dyja ekipet, por gradualisht Besëlidhja vendosi distancat, për ta fituar periodën e parë 29- 19. Në çerekun e dytë lezhjanët u futën me një marsh më tepër, duke shpërthyer në aksione të njëpasnjëshme, për ta fituar periodën 35-9, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 64-28 në shifra të përgjithshme. Pjesa e dytë ishte një formalitet, me kampionët në fuqi që vazhduan të komandonin në parket, duke i fituar edhe dy periodat e radhës, 27-9 dhe 22-15, për të vulosur triumfin final me +61 pikë.
Një sukses që e rikthen Besëlidhjen në vendin e parë pas 24 orësh, me bilanc të njëjtë me Apoloninë, me nga 5 fitore secila, por lezhjanët kanë koshavarazh më të mirë. Duke kaluar në statistikat individuale të takimit të mbrëmshëm, shtatë lojtarë të Besëlidhjes shkuan në dopioshifër pikësh, ndërsa MVP u shpall Tray Edmonds, protagonist me 19 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime.
Edhe një herë tjetër për skuadrën veriore u dallua rendimenti i lartë nga pankina, me 56 pikë që mbajnë firmën e lojtarëve të stolit. Për Fierin më i miri ishte Michael Green, autor i 23 pikëve, 6 kërcimeve dhe 4 asistimeve, me miqtë që mbeten në vendin e tetë të klasifikimit.







