✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Dita e sotme na ka dhuruar një përballje shumë interesante, atë në mes Vllaznisë dhe Dinamos, e cila do të startojë në ora 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Dy skuadrat kanë dy pikë diferencë me njëra- tjetrën në favor të kuqebluve dhe prandaj konsiderohet shumë e rëndësishme për ecurinë e tyre të mëtejshme.
Blutë i kanë munduar 3-1 në “Elbasan Arena” fazën e parë dhe prandaj shkodranët duan “të marrin hak”. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë, por edhe jo e pamundur. Sfida e sotme në fakt do të jetë edhe një përballje trajnerësh.
Edi Martini dhe Ilir Daja do të kërkojnë t’i tregojnë njëri- tjetrit se kush është më i afti dhe kush ka ekipin më të mirë. Raporti në mes tyre në fakt nuk është ai i duhuri sepse mungon komunikimi prej disa vitesh dhe si për ta ndezur edhe më shumë atmosferën, ka menduar trajneri shkodran ditën e djeshme në konferencën për shtyp.
Martini u shpreh se trajnerët kundërshtarë, përfshi këtu edhe Dajën, i tremben Vllaznisë sepse ajo ka ekipin më të mirë aktualisht. Këtë gjë do të mundohet t’ia tregojë edhe në fushë sot me të besuarit e tij, por edhe Daja, që vlerësohet shumë për aftësitë e tij, do të kërkojë t’i tregojë kolegut të tij të njëjtën gjë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







