“Disa dashuri nuk mbarojnë kurrë…, bëjnë xhiro të mëdha dhe kthehen”. Kjo frazë mund të përshkruajë mjaft mirë ëndrrën e tifozëve të Milanit për rikthimin e Thiago Silva, 13 vite pas largimit të tij të dhimbshëm në verën 2012.
Braziliani mbetet një simbol për cilësinë dhe lidhjen me fanellën, edhe sot profili i tij shihet si alternativë ideale për të forcuar qendrën e mbrojtjes kuqezi, sidomos pasi blerja e të riut Odogu nuk ka bindur dhe pritet huazimi i tij në janar.
Sipas “La Repubblica”, Milani ka disa javë që po vlerëson rikthimin e Silva, i cili më 22 shtator mbushi 41 vjeç, një detaj që e ndan opinionin. Megjithatë, kushtet për transferim janë të favorshme. Kampionati brazilian përfundon më 21 dhjetor dhe mbrojtësi i Fluminense ka vetëm 6 muaj kontratë.
Një “last dance” në Europë nuk përjashtohet, edhe sepse ai vetë nuk e ka fshehur kurrë dashurinë për Milanin. “Djalli” ka histori me rikthime romantike, nga Kaká te Ibrahimoviç, edhe rasti Modrić tregon se mosha nuk është gjithmonë pengesë./telesport/







