“Udhëtojmë drejt Burrelit jo vetëm për të zhvilluar një ndeshje të mirë, por për të synuar kualifikimin.” Me këto fjalë, trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, i hap siparin sfidës së turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, që luhet nesër në stadiumin “Liri Ballabani”.

Në prononcimin e tij për mediat tekniku krutan e bën të qartë se objektivi është i padiskutueshëm. Deklarata e Ndreut vjen edhe si një përgjigje indirekte ndaj kolegut të tij të Burrelit, Samuel Nikaj, i cili një ditë më parë kishte theksuar se matjanët do të luftojnë për kualifikim, ndonëse vlerësoi Kastriotin për formën e mirë që po kalon.

Kastrioti vjen në këtë sfidë me moral të lartë, pasi ka marrë tri fitore radhazi në kampionat, duke siguruar 9 pikë të plota, mes tyre edhe një fitore në transfertë ndaj Kukësit. Kjo ecuri ka rritur optimizmin në skuadër dhe ka shtuar bindjen se edhe në Kupë krutanët mund të bëjnë hapin e madh. “Gjendja e skuadrës është optimale. Futbollistët janë në formën e tyre më të mirë dhe jam optimist se ndeshja e nesërme do të kalohet me sukses.

Kalimi i turit është objektivi ynë. Ne duam të ecim sa më larg në këtë kompeticion, jo vetëm për ecurinë e mirë të ekipit, por edhe sepse na jep mundësi të aktivizojmë lojtarët me më pak minuta”, u shpreh Ndreu. Megjithëse sfida e Kupës ka specifikën e saj, tekniku krutan nuk e fsheh se ndeshja e së dielës për kampionat ndaj Besës në “Redi Maloku” ka një rëndësi të veçantë.

Një fitore ndaj verdhezinjve mund ta ngjisë Kastriotin në pozitat e larta të renditjes, pasi skuadrat janë shumë pranë me pikë. “Para se të flasim për ndeshjen me Besën, duhet të mbyllim me sukses sfidën e Kupës. Kualifikimi do të na shtojë besimin dhe do të ndikojë pozitivisht edhe për kampionatin.

Jam optimist se do të kthehemi me rezultat pozitiv”, tha Ndreu, i cili dikur ka mbajtur edhe vetë fanellën e Kastriotit si futbollist. Kastrioti kërkon vazhdimësinë, ndërsa nesër në Burrel luhet një duel që premton rivalitet të fortë dhe emocion, për një biletë të vlefshme drejt turit të radhës së Kupës së Shqipërisë.