Vora u mposht nga Teuta me rezultatin 0-1 në stadiumin “Niko Dovana”. Pas ndeshjes ishte trajneri Arjan Bellaj që kishte rezerva për gjykimin dhe golin e Vorës, që u anulua në fund.

“Janë gjëra që ne i shohim ndryshe, ju i shihni nga TV, ne i shohim gjallë. Në fillim bravo djemve për shpirtin që treguan, edhe ata që u futën. Ndihmuan. Dhuruam gjithçka, u përpoqëm të barazonim, ia arritëm dhe bravo çunave. Tani se nga emri Arjani e bëjnë Jani, ne nga Gjirokstra e flasim kështu gjyhën. Edhe këtu nga një gol i pastër u dha faull. Është turp dhe është njëçik gjynah për këto çuna që të futen duke qarë dhe goditur dhomat e zhveshjeve se u hanë hakun. Kaq dua të them dhe të përgëzoj kombëtaren për arritjen e madhe, kaq mund të them.

Tërheqja në pjesën e dytë nuk ishte strategji, u ngjit më lart Teuta. U detyruam të ktheheshim të mbroheshim me kundërsulme. Nuk funksionuan krahët, doli Bardhi edhe Kasalla dy herë, rrezikuan e erdhi goli. Jam i kënaqur edhe me pjesën e dytë se edhe kur një ekip ngjitet lart e të vë në presion, sjellja ishte e mirë. Thjesht pësuam gol me goditje standarte, duhej të ishim të vëmendshëm, unë prapë them që arritëm të barazonim, atë e quaj gol, nuk e quaj faull.

Ajodele është një lojtar që vrapon, Ruzgis ka cilësi të tjera, nga fundi doli, se krahët nuk funksionuan. Ne trajnerët më raste mendojmë ndryshe, nuk e hoqa Ajodele se nuk ishte mirë, e bëri atë që donim. Thjesht donim të ndërronim duke futur Ruzgis për luftën në ajër dhe ndihmoi ekipin.

Goli i pësuar ishte topi i kthyer, rreshtimi humbi dhe pastaj pësuam golin, se në goditje standarte nuk kemi pasur probleme. Por ka ekipe me lojtarë shtatlartë dhe janë të mirë në lojë në ajër. Ne humbëm rreshtimin në topin e kthyer, aty nuk kontrolluam kudnërshtarët.

Gjykimi? Vetëm atë episod, nuk kam asnjë ankesë tjetër.

Ne nuk duam të humbasim ndeshje, çdo ndeshje nis për të marrë rezultat, një apo pikë të plota. Sot ishte shumë mirë, pasi ishim barazim me Partizanin, fituam jashtë me Tiranën, luanim jashtë me Teutën. Barazimi do ishte i mirë, por nuk do thotë që humbëm e mbaroi gjithçka, do shohim para duke filluar nga Flamurtari”, tha Bellaj për RTSH pas ndeshjes.