✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Ndonëse e ka mbyllur pjesën e parë në avantazhin e dy golave, Basania gjithsesi nuk ka arritur të dalë e fituar nga ballafaqimi me ekipin e Veleçikut. Kjo edhe për meritë të këtij të fundit që reagoi në pjesën e dytë duke arritur të barazojë dhe të marrë një pikë me shumë vlerë.

Ndeshja në mes këtyre dy ekipeve është luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe është mbyllur në shifrat e barabarta 2-2.

Ka qenë minuta e 24-të kur rezultati është zhbllokuar dhe autori i golit është mbrojtësi i Basanias Ardit Hoxhaj, i cili i ka shënuar ish- skuadrës së tij. Një gol që i dha shumë besim skuadrës vendase dhe në minutën e 40-të ka qenë sulmuesi Jurgen Gjini që shënon edhe golin e dytë.

Pjesa e parë në këtë mënyrë është mbyllur me avantazhin 2-0 në favor të saj. Një rezultat ky që krijoi iluzionin se Basania do ta fitonte këtë takim, por nuk do të ndodhte kështu. Kjo sepse futbollistët e Veleçikut nuk pajtohen me këtë rezultat dhe në 45 minutat e dyta reagojnë.

Dhe protagonisti kryesor për koplikasit do të ishte sulmuesi Brajan Shekaj i cili do të shënonte dy gola njëri pas tjetrit në minutat 53 dhe 63. Pas këtyre golave pati të tjera përpjekje nga të dyja skuadrat, por gjithsesi nuk pati gola të tjerë.

Si rrjedhojë e gjithë kjo përballje mbyllet në shifrat 2-2. Pas kësaj jave, Basania me 6 pikë të grumbulluara mban vendin e tetë në renditje, ndërkohë që Veleçiku ka 5 pikë dhe ndodhet në vendin e 10-të të renditjes.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”