✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Ekipi i Universitetit “Luigj Gurakuqi” ka marrë fitoren e dytë në kampionatin 5×5 Masters që po organizohet nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër në partneritet me Shoqatën “Pro Sport”. Ai ka fituar me rezultatin 6-5 ndaj ekipit të Spitalit Rajonal Shkodër.

Në fakt u duk se do të ishte një fitore e lehtë për universitarët të cilët ishin duke udhëhequr me një diferencë të konsiderueshme golash dhe në fund kanë qenë duke e pësuar.

Ka qenë Luçjan Pjetri që ka zhbllokuar ndeshjen, por Etfior Pjetrushi ka barazuar për Spitalin. Megjithatë kjo ka zgjatur fare pak sepse ekipi i Universitetit “Luigj Gurakuqi” ka shënuar plot 4 gola me anë të Gazmir Jahiqit 2 herë, Luçjan Pjetrit sërish dhe Marjo Bregut.

Në këtë mënyrë pjesa e parë do të mbyllej në shifat 5-1 për të, çka krijoi përshtypjen se ndeshja ishte e mbyllur. Në fillimin e pjesës së dytë Pjetrushi do të shënonte golin e dytë për ekipin e Spitalit, megjithatë Pjetri do të shënonte të gjashtin për universitarët.

Në shifrat 6-2 u duk se gjithçka përfundoi dhe ndoshta ato e menduan të kryer ndeshjen, po u gabuan sepse ekipi i Universitetit shënoi plot 3 gola me autorë Renato Kepin, Blerim Jukën dhe Saimir Selmanajn duke i çuar kështu shifrat në 6-5 dhe nëse loja do të kishte edhe pak minuta më shumë, nuk përjashtohej mundësia që të kishte edhe ndonjë barazim.

Megjithatë ekipi i Universitetit “Luigj Gurakuqi” fitoi 6-5 duke marrë fitoren e dytë dhe kësisoj me 6 pikë mban sërish vendin e dytë në renditje, ndërsa ekipi i Spitalit Rajonal Shkodër mbetet në kuotën e 3 pikëve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”