✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Përveç Ardit Krymit, që do jetë i pezulluar për ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Teutës, tek Vllaznia do “vuajnë” mungesën edhe të një tjetër mesfushori. Fjala është për Eslit Salen, i cili po ashtu si Krymi ka plotësuar numrin e ndëshkimeve me karton të verdhë dhe kështu automatikisht është i pezulluar për ndeshjen e rradhës në kampionat. Teksa kartoni i verdhë i marrë së fundmi kundër Partizanit, ka pasur ndëshkimet kundër Dinamos, Egnatias dhe Elbasanit për 26-vjeçarin.
I cili do i mungojë 9 herë kampionëve të vendit, në një duel mjaft të fortë kundër Teutës. Ku tashmë për Martinin lind detyra për të gjetur futbollistët e duhur dhe vendosur në mesfushë në duelin me durrsakët. Ku emri më favorit për t’a nisur nga minuta e parë është ai i Klinti Qatos, nga vetë karakteristikat e kuçovarit. Që është një lojtar i cili mund t’a mbulojë më së miri rolin e mesfushorit para mbrojtjes.
Duke parë që aktualisht një tjetër futbollist i këtij roli, Kristian Dros, nuk gëzon formën më të mirë fizike. Prandaj moldavi është në disavantazh ndaj ish-futbollistit të Laçit. Por, një opsion serioz për t’a nisur nga minuta e parë sfidën ndaj Teutës është edhe Ensar Tafili. Me mesfushorin shkodran që ka treguar një formë të mirë së fundmi, duke gjetur edhe golin me Vllazninë B, në një barazim 1-1 kundër Dinamos B.
Gjithashtu në rast se do ketë ndryshime edhe në sulm, në mesfushë mund të “ulet” edhe Esat Mala, ku për prizrenasin nuk do ishte një rol i ri ai i mesfushorit të qendrës. Pavarësisht se momentalisht dilemat janë të mëdha për Martinin, i cili vetëm 24 orë para ndeshjes do vendosë për titullarët që do hedhë në fushë në duelin e javës së 13-të të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”















