✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Sulmuesi i Vllaznisë, Bismark Charles është parë duke u stërvitur normalisht me skuadrën ditën e sotme. Në fakt, ditët e fundit ishte raportuar nga media të ndryshme se ai e kishte mbyllur këtë vit kalendarik për shkak të një dëmtimi.

Megjithatë, ai ka qenë prezent në seancën e rradhës stërvitore, madje duke dhënë edhe sinjale pozitive për stafin teknik dhe tifozët kuqeblu të pranishëm në Kompleksin “Hasaj” në Golem. Në ditët në vijim pritet të shihet nëse sulmuesi afrikan do të jetë gati për t’u rikthyer plotësisht, në mënyrë që ta nisë si titullar ndeshjen e rradhës ndaj Vorës.

Ai u dëmtua në duelin e fundit ndaj Teutës, duke ngritur shqetësim tek stafi teknik, me në krye trajnerin Edi Martini dhe tifozët. Megjithatë, Charles është parë sot duke kryer ushtrime të lehta dhe më pas pjesë të programit normal me grupin, ç’ka tregon se gjendja e tij nuk është aq serioze sa u mendua fillimisht.

Stafi mjekësor do të vazhdojë monitorimin në ditët në vijim, teksa rikthimi i tij në fushë ka sjellë optimizëm tek Vllaznia, e cila ka shumë nevojë për prezencën e tij në repartin ofensiv.