Shkruar nga Gjergj KOLA
Ai është vetëm 16 vjeç, por emri i tij ka filluar të spikasë në futbollin italian. E kemi fjalën për portierin me origjinë nga Shkodra, Bastian Brungaj i cili po bën mirë tek klubi i Carrareses.
Duhet thënë se prej disa kohësh ai është duke u stërvitur tek ekipi i parë i këtij klubi i cili merr pjesë në Seria B të futbollit italian. Drejtuessit e këtij të fundit e kanë ndjekur rregullisht me paraqitjet e tij pozitive tek Akademia dhe si rrjedhojë e kanë ftuar të stërvitet me ekipin e parë.
Para pak ditësh ndërkohë ekipi i parë i Carrarese luajti një ndeshje miqësore me ekipin U20 (Primavera) dhe Brungaj ishte aty, për të bërë detyrën e tij, të mbrojë portën dhe e bëri ashtu si duhet.
Ndërkohë të shtunën që shkoi, portieri 16 vjeçar mbrojti portën e ekipit Carrarese U20 në ndeshjen e kampionatit ndaj Carpit. Ka qenë diçka vërtetë interesante sepse kemi të bëjmë me një futbollisti i cili luan me kundërshtarë apo dhe shokë të ekipit që janë një, dy apo tre vite më të mëdhenj në moshë.
Megjithatë Bastiani nuk ka dashur t’ia dijë dhe ka treguar personalitet në kryerjen e detyrave të tij. Tek Carrarese janë duke i dhënë besim dhe kjo ka bërë që edhe vetë ai të ndihet i sigurtë dhe shpreson shumë që të vazhdojë të rritet nga ana profesionale dhe të shkojë aty ku dëshiron.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


