Do të hidhet sot shorti i turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Në orën 14:30 në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, 8 ekipet pjesmarrëse do të mësojnë edhe emrat e kundërshtarëve në këtë tur.
Vllaznia do të ketë si kundërshtar njërin prej 4 ekipeve të mëposhtme: Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana. Po cili është kundërshtari i preferuar për tifozët kuqeblu? Gazeta “Shkodra Sport” ka bërë një sondazh në lidhje me preferencën në lidhje e tyre.
Shumica e atyre që kanë marrë pjesë në votim, 47 % e tyre duan Tiranën si kundërshtar. Dhe në fakt kjo mëse e logjikshme duke parë rivalitetin në vite mes këtyre dy skuadrave, por edhe momentin jo të mirë që po kalojnë bardheblutë.
Më pas në vend të dytë si preferencë e tifozëve është Bylis, po ashtu një skuadër me probleme në kampionat dhe atë e kanë zgjedhur 25 % e votuesve. Ndërkohë nga 14 % kanë zgjedhur Elbasanin dhe Teutën, dy kundërshtarë praktikisht më të fortë në letër. Megjithatë pavarësisht dëshirës, çdo gjë do vendoset nga goglat.



