Prej 4 vitesh ka dorëzuar në kryeministri të gjithë dokumentacionin e duhur për të përfituar pension të posaçëm dhe ndonëse e meriton para shumë të tjerëve, sërish Ferid Rragami nuk e zotëron atë. Ish- futbollisti i Shkëndijës, Vllaznisë, Partizanit dhe kombëtares shqiptare ju kujtn edhe njëherë të gjithë atyre që e kanë në dorë një gjë të tillë, ta marrin në shqyrtim një kërkesë të tillë.
Ferid Rragami ka dhënë së fundi një intervistë për A2CNN duke rrëfyer një pjesë të jetës dhe karrierës së tij sportive. Ish- mesfushori, i cili mban nofkën “Ujku” i Vllaznisë për grintën dhe fuqinë që kishte në fushën e lojës e nisi këtë rrëfim me vitet e para kur nisi të luaj futboll si fëmijë në kushte tejet të vështira dhe se si nëna e tij i bërtiste gjjthë kohën.
“Kisha një fushë futbolli afër shtëpisë dhe aty nisa të luaj. Baza materiale ishte e nivelit të ulët. Zihesha me nënën se çdo tre ditë këpucët prisheshin duke luajtur. Rrobat ishin me poliester e cila nuk e thith djersën”.
Rragami tregon se si nisi karriera e tij profesionale ku spikati me të rinjtë e Shkëndisë dhe kombëtares.
“Fillimisht dola kampion me të rinjtë e Shkëndisë dhe pastaj më thirrën në kombëtaren e të rinjve. Kisha kundërshtar ish presidentin e federatës të futbollit të Kosovës dhe më thoshte Ferid mos më ndërhyj fort se ju jeni pa lekë, ne jemi me lekë dhe mos më dëmto. Nga viti 1974 deri në 1990 ka patur shumë talente futbolli shqiptar. Ekipet e Tiranës, Partizanit, Dinamos, Vllaznisë dhe Flamurtarit pa harruar Skenderbeun dhe Elbasanin. Kishte sukses futbolli asokohe se stadiumet ishin plot”.
Familja e Ferid Rragamit jetonte me vështirësi ekonomike dhe përveç futbollit që nuk kishte të ardhura i duhej edhe të punonte punë të rëndomta në komunale.
“Familja ime kishte probleme se ishin 5 fëmijë. Babai ishte i pushuar nga puna. U detyrova që gjatë verës të punoj në komunale. Dajat më kanë ndihmuar. Babai më mbështeste kurse nëna jo se më kërkonte llogari për rrobat. Nuk kisha këpucë futbolli por as rroba shumë. Kur erdha në Tiranë Met Hyka mi rregullonte tinëz këpucet duke i qepur dhe më thoshte mos ta marrin vesh të tjerët”.
“Ujku” i Shkodrës rrëfen momentin kur erdhi tek Vllaznia dhe se si u bë menjëherë pjesë e formacionit duke lënl pakënaqësi tek mbrojtësi i djathtë asokohe Lutfi Basha.
“Kur shkova në Shkodër tek Vllaznia kisha trajner Xhevdet Shaqirin dhe Ramazan Rragamin. Shaqiri më priti shumë mirë dhe e vendosi në sytë e të gjithëve duke më thënë Ferid t’i do luash mbrojtës i djathtë për momentin. Kisha problem me Lutfi Bashën se ai ishte mbrojtës i djathtë, të njëjtin problem kisha tek Shkëndija me Dashnor Bajazitin. Ata ngatërroheshin me trajnerët, jo me mua, kishin punë vetëm me trajnerët. Konkurenca të çon përpara kur ke karakter të fortë, pas ndeshjes ne ishim si vëllezër pavarësisht konkurencës në fushë.
Një ndeshje që mbaj mend është kur ika si përforcim tek Skenderbeu dhe fituam 1-0 ndaj Rijekës ndërkohë që më përpara kishin humbur 6-0. Një tjetër ndeshje është fitimi i kupës në Vlorë me Vllazninë kur unë i shënova gol Flamurtarit 7 minuta para përfundimit të lojës. Me tifozët e Vllaznisë kemi patur marrëdhënie të shkëlqyer. Takoheshim ditë të hëne. Na ndihmonin ndonjëherë me ndonjë vend pune për të fituar ndonjë lekë më shumë. Dhurata nuk kishin mundësi të na bënin por respekti që dhuronin ishte shumë i madh”.
Ferid Rragami thotë se regjimi i kohës i dha disa goditje dhe kaloi disa vështirësi.
“Kam patur disa goditje, më hoqën nga shkolla, më morën nga shkolla, më çuan në ushtri, atje nuk kam marrë asnjë lek. Kam luajtur 3 vite, kam marrë 3 tituj, kam shëtitur edhe nepër botë dhe nuk ka marrë asnjë lekë. Tek Partizani kur luajta sepse më morën ushtar dhe luajta aty, më pëlqente karakteri i trajnerëve atje dhe grinta e lojës së Partizanit që më përshtatej mua. Tirana, Dinamo dhe Vllaznia nuk e kishin atë grintë të Partizanit. Rivaliteti më i madh ishte me Tiranën por derbit asokohe më të forta kanë qenë me Dinamon se kishin treshen Ballgjini, Pernaska, Zëri. Një ndeshje kur humbej ishim në gjendje koma. Vllaznia kishte anën teknike kurse Partizani atë taktike dhe ne na duhej të vraponim më shumë kur isha në kryeqytet. Fatkeqësi që vdiq Loro Boriçi, pastaj Panajot Pano, Lin Shllaku dhe Bejkush Birçe që ishin trajnerët e mi. Nga të gjithë do veçoja Berkush Birçen, karakter shumë i fortë. Pa e marrë vesh ne ai luftonte për të gjithë sportistët. U kapte edhe me anëtarët e Byrosë Politike vetëm që të kishim kushte më të mira”.
Përndjekia dhe mbikqyrja për Rragamin për shkak se një pjesë të familjes e kishte në emigrim ishte githnjë prezente.
“Vajza e hallës e imja është gruaja e Elez Biberaj dhe ajo ishte në Amerikë. Halla ime në Belgjikë. Luajtëm me Budoçnostin dhe kisha kundërshtar atë që sot është President i federatës malazeze, Saviçeviç dhe më thanë ti nuk do shkosh atje se kemi frikë se arratisesh. Po e them për herë të parë, ma ka thënë këtë Adem Tukaj, zëvendës kryetar i komitetit ekzekutiv. Ngela si peshku pa ujë. Asnjë tifoz nuk më fliste dhe nuk e di as unë si e kam kaluar. E kalova duke pirë pak alkool. Pavarësisht kësaj tërheqjen nga futbolli nuk e kam menduar asnjëherë me përjashtim të ndeshjes së fundit. Filluan edhe rrëmujat e ’90-ës dhe thashë të rri afër familjes”.
Shqipëria shprehet Rragami kishte një shans të artë për të shkuar në kampionatin botëror të Meksikës por pas disa rezultateve pozitive dhe kur duhej vetlm një barazim në Greqi regjimi komunist ndërhyri duke ia lënë ndeshjen grekëve dhe duke humbur këtë mundësi të artë.
“Në 1978 u shpallëm kampion ballkani me kombëtaren e të rinjve. E kishim një objektiv she do u realizonte por me ndërhyrjen e pushtetit të kohës u shkatërrua. Në dy ndeshjet e fundit u bënë zëvendësime personash në fushën e lojës. Nuk e la grupin në harmoninë e vet por e ngatërroi me lojtarët e ekipit Shpresa. Atyre u mbaroi kampionati, u renditën në vend të 8-të në Europë ndërsa ne ishim pretendentë për të shkuar në Meksikë në kampionat botëror. U donte një barazim me Poloninë në Shqipëri dhe me Greqinë. Ne Greqinë e mundëm në Shqipëri kurse atje na mundi Greqia në 10 minutat e para sa nisi loja 2-0 dhe ishim 6 vetë në stol të rezervave sepse aktivizuan moshat e reja. Kishim marrë rezultate shumë të mira me Poloninë, Belgjikën dhe na kishte mbetur vetëm Greqia por ndodhi ajo që ndodhi dhe është pengu më i madh. Kur belgët erdhën në Shqipëri kishin thënë se Tirana është kryeqyteti më i errët në Europë sepse na e tha një anëtar i Byrosë Politike kur ne në fakt e kishim mundur Belgjikën. Kur isha në kampionatin Europian në Dortmund, atje mora një top. Atë top e përdorën në Shqipëri për shumë kohë për ndeshjet”.
Dëshira e madhe e tifozëve bëri që Rragami të rikthehet tek Vllaznia edhe pse Partizani i pëlqente.
“Nuk ishte dëshira ime që të largohesha nga Partizani për të ardhur tek Vllaznia por tifozët shkodran nuk më lanë sepse më donin në Shkodër dhe ika atje. Me Vllazninë në ’81, ’83 dhe ’87 morëm një kampion dhe dy Kupa. Një skuadër me emra si Sabah Bizi, Medin Zhega, Luan Vukatana etj. Kundërshtari më i fortë për mua në fushë ishte Matrapazi i Beratit dhe Andrea Marko i Dinamos”.
Ferid Rragami tregon se karrierën tek Vllaznia nuk e mbylli në mënyrën e duhur sepse vendosi të mos luaj më kur kuqeblutë sipas tij toleruan ndeshjen me Besëlidhjen sepse lezhjanët nëse humbnin do binin nga kategoria.
“Tek Vllaznia kohët e fundit mu përzinë shumë lëmshe. Erdhën vitet ’90 dhe kush do shpëtonte do shpëtonte dhe kush nuk do shpëtonte, nuk do shpëtonte. Ishte si luftë dhe mu bashkuan të gjitha bashkë dhe thashë më mirë ta lë futbollin. Ajo që ishte në vendin e parë do shkonte në Kupë Kampionesh dhe ne në Kupën e Kupave. Luhej me Dinamon. Ndeshjen e parë na mundën 2-0, të dytën i mundëm ne 2-0 dhe gjithçka u vendos me penallti. Ne humbëm 3 penallti, i humbën tonët dhe u eleminuam nga gjitha kompeticionet. Pas kësaj që nuk më pëlqeu erdhi Besëlidhja dhe atyre u duhej fitorja ose barazimi sepse në të kundërt binin nga Kategoria. Ne nuk kishim pretendime shumë por nuk më pëlqeu ambjenti. Për tri ditë janë bërë këto gjëra, si me Dinamon edhe me Besëlidhjen. Unë i bëra gol nga 40 metër Lezhës, vetëm nga nervat. Pas kësaj ndeshje në dhomat e zhveshjes ju thashë më falni por nuk luaj më futboll. Trajner asokohe ishte Astrit Hafizi. Kur u arratisën disa prej lojtarëve të Vllaznisë unë mora futbollistë nga Kopliku, nga të rinjtë dhe e shpëtova Vllazninë e cila zuri vend të katërt. Pastaj u largova se nisën rrëmujat e fillim viteve ’90. Njëherë ma tha truri që të largohem nga Shqipëria por më pas thashë jo, do rri këtu dhe vendosa të qëndroj në Tiranë”.
Rragami nuk e ndjek kampionatin shqiptat qysh se ka lënë futbollin dhe tregon se ka një arsye të fortë.
“Qysh se e kam lënë futbollin nuk kam ndjekur ndeshje më. Unë kam luajtur 7 vite pa asnjë lekë. Këta luajnë me lekë dhe rrin e përdridhen në fushë se nuk kanë fuqi sepse nuk bëjnë stërvitje të mirë, nuk mbajnë regjim të mirë, nuk ushqehen mirë. Qëndrojnë nga 4-5 vetë bashkë. Jam tifoz i Vllaznisë dhe Partizanit, nuk i ndaj”.
Kur luan kombëtarja, Rragami i ndjek ndeshjet she tregon se çfarë duhet të bëjnë kuqezinjtë për të kaluar Poloninë në gjysmëfinale të Play Off.
“Kombëtaren e shoh. Pavarësisht se e kanë sulmuar trajnerin më ka pëlqyer loja e ekipit. Broja që është i një niveli të lartë nuk ka shpërthyer ende ndoshta nga problemet që ka patur, nga gjendja psikologjike ose ngarkesa që ka. Për ndeshjen me Poloninë nëse bllokojnë Levandovskin them se kualifikohemi”.
Rragami i cili dha një kontribut të madh në futbollin shqiptar edhe pse ka bërë kërkese nuk ka marrë ende pensioin e posaçëm ndërsa dosja e tij ndodhet në Kryeministri.
“Një problem të fundit kam. Kam 4 vite që kam aplikuar për pension të posaçëm. Plotësova dosjen tek Aldrin Dalipi dhe askush nuk më kthen përgjigje. Dosja është në kryeministri. Kam mbetur t’i them veç Kryeministrit se askush nuk më jep një përgjigje”.


