Vasil Ruci mendon se në mënyrë urgjente Edi Reja duhet të largohet nga drejtimi i Kombëtares shqiptare. Ai thekson se italiani 77- vjeçar nuk ka se çfarë t’i japë më kësaj skuadre. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, duke parë reagimin në miqësoren me Italinë, ish-sulmuesi vlonjat thotë se është e lehtë ta drejtosh një ekip, por ta menaxhosh është tjetër gjë.

Sipas Rucit, Kombëtarja ka shumë elementë cilësorë, por që nuk po u merret maksimumi, pasi Reja nuk di të menaxhojë situatat. Zgjidhja provizore sipas tij duhet të jetë një tjetër trajner i huaj, por me katër ndihmës shqiptarë.

Ruci, si e patë miqësoren Shqipëri-Itali, ku nga ai avantazh i shpejtë me Ismajlin, më pas u përmbysëm brenda pjesës së parë?

Shiko, një ekip mund ta drejtosh… Mirëpo, drejtimi nga menaxhimi ka ndryshim të madh. Që të drejtosh një ekip, të gjithë dinë ta drejtojnë. Domethënë bëjnë ndërrimet e duhura… Por që të arrish të menaxhosh një ekip, është 100% ndryshe. Reja nuk e menaxhon dot. Mund ta drejtojë, mund të bëjë vendosjet në fushë, mund të bëjë ndërrimet, formacionin e duhur… Por të arrish ta menaxhosh në fushë është shumë e vështirë.

Cila do të ishte zgjidhja më e mirë për Kombëtaren?

Edi Reja në mënyrë urgjente duhet të largohet nga drejtimi i ekipit Kombëtar. Çdo lloj freskimi, ka një prurje të re, ka një mentalitet të ri. Ky lloj ekipi është me aftësi shumë të mira. Nuk ka ditur t’i shfrytëzojë trajneri aktual këta lojtarë që kanë cilësi dhe vlera. Nëse kemi lekë, lekët e mëdha do të hidhen te trajneri. Nuk hidhen më tek ekipi. Kjo, sepse trajneri do të na japë garanci që kemi mundësi të kualifikohemi në Europian.